zoom

Politikë

Gjoba 110 milionë euro për Becchettin përplas Ramën me Metën

Gjoba 110 milionë euro për Becchettin përplas Ramën me Metën

Presidenti Meta dhe kryeministri Rama janë përplasur për vendimin e Arbitrazhit në dëm të Shqipërisë dhe në favor të pronarit të Agon Channel, Francesco Becchetti.
Meta thotë se kjo është pasojë e arrogancës së qeverisë dhe tekave e kapriçove të kryeministrit.
Ndërsa Rama thotë se gëzimi i Metës është i parakohshëm dhe se vendimi ishte i padrejtë.
Sipas Zërit të Amerikës, Shqipëria duhet t’ia paguajë këto para Becchettit për mbylljen e padrejtë të Agon Channel nga qeveria.

 

DEKLARATA E METES:

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.

REAGIMI I RAMES

Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!
Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!