zoom

Aktualitet

Historia e “armikut” të Martinajt, i vrarë në Greqi. Nga rrahja, te masakra e Fushë-Krujës e Preçit

Teksa hetuesit grekë po investigojnë atentatin mafioz në sy të familjes, të atij që mendohet se ishte edhe kundërshtar i Ervis Martinajt, “mbretit të kumarit” i zhdukur prej 8 gushtit të vitit 2022, dalin detaje rreth viktimës së djeshme.

Roan Brahimi (foto poshtë), është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Ai ka qenë edhe i hetuar, por nuk janë gjetur prova bindëse. Në fund të vitit 2022 policia ka ushtruar edhe kontroll në banesën e Brahimit alias Sidorel Prendi, në fshatin Pllanë të Lezhës.

Në banesë, policia gjeti vetëm babain e tij, Gjovalin Prendi, i cili tha se nuk kishte asnjë dijeni se ku ndodhej djali i tij, të paktën prej një viti. Roan Brahimi është shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës ku u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Si autorë të së njëjtës ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.

Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022. Por pse grupi hetues po investohej kaq shumë në emrin e Roan Brahimit, si një nga personat më të mundshëm të dyshuar për atentatin ndaj Ylli Brahjas dhe mikut të tij tashmë të ndjerë, Klisman Preçit. Sipas hetimeve, gjithçka thuhet se lind pas një konflikti që Roan Brahimi kishte me Ylli Brahjan. Ku ky i fundit, sipas prokurorisë, mendohet se e ka çuar Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar.

Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë-Kuqes, ku mendohet se Rohan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare. E gjitha kjo. për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit. Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Brahjan se “nuk ja falte kurrë atë që i kishte bërë”. Por a është ky motivi i vërtetë i atentatit ndaj Ylli Brahjas, mbrëmjen e 22 korrikut 2022, në qendër të Milotit.

Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi po lëviznin me një mjet të blinduar, por 108 plumba blindshpues arritën që u futen brenda mjetit. 28-vjeçari Preçi u qëllua i pari, në momentin që ka zbritur nga makina. Pas tij, Ylli Brahimi ka hapur derën dhe ka tentuar të dalë nga mjeti në të cilin ishte si pasagjer, por përballë të shtënave pa ndërprerje që kanë zgjatur afro 3 minuta, ai ka hyrë sërish në makinë për t’u mbrojtur nga plumbat. Preçi humbi jetën ndërsa Ibrahimi mbijetoi. Para prokurorëve, Ibrahimi nuk ka dhënë asnjë detaj nga ngjarja e ndodhur. /ZOOM.AL/