Aplikacion
Ashtu sikurse ndodh pothuajse me çdo arrestim të SPAK, edhe ai i ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, e ka ndarë opinionin publik në dysh. Një pjesë besojnë se Prokuroria e Posaçme ka vepruar sipas një kalkulimi politik që i duhej Edi Ramës, për të balancuar procesin farsë ndaj Fredi Belerit. Dihet se kryeministri ka mbrojtur në vend dhe në arenën ndërkombëtare, alibinë se ai nuk ka gisht në këtë ngjarje, se drejtësia është e pavarur dhe se prokurorët rebelë të SPAK kanë ngrënë edhe shumë nga gjeneralët e qeverisë. Pra ata që shohin një komplot të ri, mbështesin tezën se Goro u bë mish për top për të përforcuar këtë alibi.
Të tjerët, që vazhdojnë të besojnë te drejtësia e pavarur, i shohin këto pandehma si teori konspirative. Sipas tyre, gjithçka ka bërë SPAK, në këtë rast, është thjeshtë ndjekja e linje të pastër korruptive.
Por, secili nga këto dy pozicione, diametralisht të kundërta, merr vlerë kur mbështet në analizimin e fakteve. Për të kuptuar nëse kreu socialist, në detyrë, i Bashkisë së Himarës u përdor si “kokë turku”, duhet të shqyrtojmë më parë se çfarë akuzash rëndojnë mbi të. Ai dyshohet se ka firmosur për tapinë e pronësisë së një trualli tek një pronari i rremë, duke kaluar në emër të tij një tokë që i takonte shtetit. Deri këtu askush nuk mund ta vërë dorën në zjarr se Goro është i pafajshëm dhe ai nuk ka ditur se ç’po bënte. Aq më tepër rëndohet pozita e tij po të mendojmë se firma e vitit 2019 lidhej me interesin e fortë të familjes së ministres Olta Xhaçka, investim të cilit më pas Edi Rama i dha satusin strategjik. Kush është marrë sadopak me prona në Shqipëri, e di mirë se se këto afera zgjidhen vetëm kur funksionojnë nga lart poshë. Pra kur një i fuqishëm është i interesuar dhe ai vë në lëvizje të gjitha hallkat e mekanizmit. Pra, në këtë kuptim, mund të supozohet se firma Jorgo Goros i është imponuar, se ai e ka bërë me ndërgjegje mëkatin dhe se pikërisht për këtë ai e meriton burgun.
Por, fatkeqësisht e vërteta nuk ëshë kaq e thjeshtë. Pasi për tjetërsimin e një trualli, nuk mjafton vetëm nënshkrimi i një kryebashkiaku. Në mishmashin korruptiv të pronave në Shqipëri, njohja që jep bashkia është vetëm një etapë e parëndësishme drejt njohjes përfundimtare të truallit që të takon. Që ajo të marrë vlerë duhet njohur nga hartat që zotëron hipoteka dhe nga verifikimet në terren që bën ajo. Pra me një standart të tillë, ku shpesh pushtetarët lokalë lëshojnë me të njohur vërtetim se “kjo i takon filanit”, duhet të përfundojë në burg çdo lloj pushtetari lokal që ka vulosur vërtetime të tilla, nga Llogoraja deri në Sarandë. Por, SPAK-u shkoi pikërisht te Jorgo Goro, kërkoi të gjejë tek ai gjilpërën në kashtë dhe mbërriti në përfundimin se duhet ta prangosë, në një kohë rekord, vetëm gjashtë muaj pas kallëzimit që, rivali në zgjedhje, Fredi Beleri bëri kundër tij.
A lë kjo procedurë, në rastin më të mirë, dyshimin për selektivitet? A ia heq ajo, në rastin më të keq, të drejtën për të dyshuar atyre që flasin për një kalkulim politik?
Duke analizuar imtësisht faktet të bëhet më e lehtë që të besosh në tezën e drejësisë me regji.
Dhe gjëja që i interesonte më shumë sesa gjithçka politikisht dhe diplomatikisht dirigjentit, ishte burgosja e Jorgo Goros. Tani ai ka më shumë argumenta për t’i thënë Mitsotakisit: “e shikoni që nuk gënjeva kur thashë se nuk e kontrolloj SPAK-un”? Pas kësaj ai merr hov për ta përdorur edhe më fort alibinë e një drejtësie që godet të tëra palët.
Por mbi të gjitha kjo manovër mëton të shlyejë njollën e turpit të procesit Beleri, i cili për atë që dëshmoi në sallën e gjyqit evokonte farsat e monuara të KGB-së së kohës së Xherxhinskit.
Nëse dikush mund të ngrejë zërin sot se gjyqi ndaj Belerit u bë me prova të montuara, me dokumenta të falsifikuara dhe dëshmitarë të paguar, përgjigjja është e gatshme. A mund të quhen të anshëm kundër Belerit, SPAK dhe GJKKO, kur ato ia morën për bazë atij kallëzimin që bëri për të prangosur njërin prej njerëzve të Ramës? A ka alibi më të mirë sesa kjo për ti shërbyer versionit që mbron pushteti? Natyrisht që jo.
Por këtu halli nuk është tek fitorja propogandistike, por tek përdorimi i SPAK në favor të saj. Dhe Prokuroria e Posaçme duket se ka bërë pikërisht këtë. Në gijotinën që fabrikoi për Belerin, asaj i mjaftuan vetëm pak indicie që të këpuste dhe kokën e Goros. Duke dashur të legjitimojë farsën e procesit të parë, ajo po fabrikon edhe një të dytë, duke rrezikuar ta shndërojë Himarën në arkivolin e “drejtësisë së re”.