Aplikacion
Drejtori i OSHEE-së, Erald Elezi, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e tunelit të Llogarasë.
Burime bëjnë me dije se Elezi është marrë i pandehur nga SPAK për këtë çështje, ku nën hetim ndodhet edhe ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Sipas hetimeve, Elezi akuzohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë, të njëjtat akuza që rëndojnë edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në dosje, mes tyre edhe kreu aktual i ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Ndërkohë, në fashikullin e parë të kësaj çështjeje janë në proces gjyqësor ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, si dhe persona të tjerë të përfshirë në procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë.
Hetimet e SPAK janë mbështetur edhe në materialet e sekuestruara në telefonin celular të Evis Berberit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim pasuror ndaj 25 personave dhe subjekteve të dyshuara, konkretisht 22 individë dhe 3 kompani.
Sipas dosjes hetimore, në kohën kur dyshohet se janë kryer shkeljet, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), në varësi të Evis Berberit.