zoom

Ekonomi

Hetim i thelluar apo gjobëvënie/ A po kërkon Autoriteti i Konkurrencës të fusë duart në arkat e bankave?

Hetim i thelluar apo gjobëvënie/ A po kërkon Autoriteti i Konkurrencës të fusë duart në arkat e bankave?

TIRANË – Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim të thelluar ndaj një liste të gjatë bankash të nivelit të dytë dhe ndërmarrjesh të përfshira në tregun e sigurimit të jetës për kreditë. Një njoftim i këtij Autoriteti u shpernda sot në publik, duke vënë në pikëpyetje një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit financiar: besueshmërinë.

Hetimi do të përfshijë OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Credins Bank SHA, Banka Raiffeisen SHA, Banka e Tiranës SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA, Banka Amerikane e Investimeve SHA dhe Abi Broker Sigurimesh SHA dhe në tregun e kredidhënies me sigurim jete për kreditë që jepen brenda bankës Bankës së Parë të Investimeve SHA dhe Bankës Procredit SHA.

Por këto banka nuk janë thjesht institucione financiare. Ato janë entitete të cilave qytetarët u besojnë kursimet, kreditë, investimet e jetës dhe vendimi i Komisionit të Konkurrencës i datës 26 mars 2025 për hapjen e hetimit mbi dyshimet për praktika të paligjshme dhe abuzive, i ka vënë seriozisht në rrezik reputacionin e tyre.

Dyshimet janë për kufizim të konkurrencës për sigurimet e jetës të lidhura me kreditë, detyrim i klientëve për të nënshkruar kontrata sigurimi vetëm me operatorë të zgjedhur nga vetë bankat dhe përdorimi i pozitës së tyre dominuese për të përjashtuar konkurrencën e ndershme nga tregu.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, klientëve shqiptarë mund t’u jetë mohuar e drejta themelore për të zgjedhur ofertën më të mirë. Por ky hetim në masë përbën një alarm publik të panevojshëm, pasi mund të sjellë pasoja afatgjata për imazhin e institucioneve financiare në një treg ku transparenca është ende e brishtë.

Autoriteti i Konkurrencës ka të gjithë të drejtën të hetojë, por zhurma e madhe për nisjen e një procedure që është e zakonshme në punën e këtij institucioni e bën të dyshimtë hetimin dhe mund të shihet si një përpjekje e drejtuesve të tij për të futur duart në arkat e bankave.

Në një vend ku sistemi bankar ka luftuar për vite me radhë për të ndërtuar një imazh serioz dhe të qëndrueshëm, ky hetim është një goditje e fortë.
Nëse do të ketë shkelje ato mund të shlyhen duke paguar gjobat, por kur gjobëvënia përdoret si fenomen edhe nga institucione të rëndësishme, ajo nuk ka më për qëllim të rregullojë tregun apo të mbrojë konsumatorin, por më shumë gjasë ka që të përdoret si formë presioni për qëllime jashtë ligjit.

Autoriteti i Konkurrencës është vënë vazhdimisht nën qendër të kritikave se nuk heton monopolet e shumta në vend, nuk bën asgjë për kartelet që fiksojnë prej vitesh çmimin e karburanteve apo të produkteve të tjera, çka e bën akoma më të dyshimtë hetimin që ai ka nisur ndaj bankave.

Ky hetim i dyshimtë vjen në Shqipëria u bë zyrtarisht pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik me Bashkimin Evropian, ku bankat dhe institucionet e pagesave shqiptare pritet të fillojnë operacionet në këtë sistem më 5 tetor 2025, një vendim ky që çertifikon me standarde europiane sistemin bankar shqiptar. /Zoom.al

Postime të lidhura