zoom

Politikë

“Grupi i Zjarrit”, si lëvizje përçarëse në skenën politike shqiptare në RMV

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndonëse ende larg asaj që duhet, janë sot në momentin e tyre më të mirë.

Prej gati dy vitesh një pjesë e mirë e ekzekutivit dhe posteve kyçe në të drejtohen nga shqiptarë të forcave kryesore poliitike siç është Bashkimi Demokratik për Integrim apo edhe Aleanca për Shqiptarët, e futur rishtazi në qeveri.

Falë kontributit të dhënë nga BDI e Ali Ahmetit, sot qeveria maqedonase ka dy zëvendëskryeministra shqiptarë. Bëhet fjalë për Zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.

Gjithashtu shqiptarët mbajnë edhe një tjetër post të rëndësishëm në qeveri, siç është ai ministrit të Ekonomisë që drejtohet nga Kreshnik Bekteshi.

Një përfaqësim dinjitoz ky i brezit të ri të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, që duke kapërcyer dasitë e të shkuarës që kanë ekzistuar mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ka mundur të drejtojë me dinjitet pozicionet e rëndësishme që iu janë ngarkuar.

Jo vetëm kaq, por ata kanë qenë edhe avokatët më të mirë të interesave të shqiptarëve, të cilët tashmë kanë një trajtim më të mirë në shtetin maqedonas.

Kjo duket edhe në investime që janë mundur të kryhen apo ato që do të realizohen shumë shpejt, si korridoret 8 dhe 10-D, të cilat kaloijnë kryesisht në zonat shqipfolëse dhe që përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën rrugore të qyteteve me shumicë shqiptare dhe që afrojnë më shumë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë.

Një tjetër arritje e shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë e BDI-së së Ali Ahmetit është edhe marrëveshja e arritur me LSDM-në që në 3 muajt e fundit të qeverisjes kryeministri do jetë një shqiptar.

Nëse kjo do të realizohet atëherë kjo do ishte gjithashtu hera e parë në historinë e Maqedonisë së Veriut që një kryeministër të ishte shqiptar.

Xhelozitë brenda shqiptarëve

Por jo të gjithë në Maqedoninë e Veriut nuk janë të kënaqur me përmirësimin e situatës së shqiptarëve.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për elementin maqedonas, i cili i sheh shqiptarët të rriten në qeverisje, por edhe për një pjesë të politikës së vjetër shqiptare, e cila po e sheh veten gjithnjë e më shumë jashtë realitetit të ri.

Këtu flamurin e mban një grupim i vogël politikë, i ashtuquajtur si “Grupi i Zjarrit”, që ka nisur të veprojë brenda BDI-së.

Që prej shpalljes së marrëveshjes së qeverisë së re, më shumë se dy vite më parë, disa politikanë të vjetër të BDI-së, si nënkryetari Izet Mexhiti, e panë veten jashtë strukturave të reja qeverisëse, teksa institucionet e partisë ia besuan funksionet ekzkekutive figurave të reja politike dhe me perspektivë.

Ndaj ata nisën një luftë të brendshem, duke e fokusuar betejën e tyre, jo te principet si kundër përpiqen të shfaqen, por te interesat e ulëta dhe te emrat e përveçëm.

Ende pa ngrohur karriget në ekzkeutiv, përfaqësuesit e BDI-së në qeveri u vunë në qendër të kritikave nga “Grupi i Zjarrit” për mosrealizime të programeve politike.

Në fokus të sulmit ishte në mënyrë të veçantë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, i cili, nëse Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, në bazë të marrëveshjes qeverisëse, duhet të marrë postin e kryeministrit.

Në një letër publike vitin e shkuar, drejtuar kryetarit të partisë, “Grupi i Zjarrit”, i kryesuar Izet Mexhiti kërkonte reflektim në qeveri dhe përfaqësim të BDI-së, duke atakuar hapur Artan Grubin.

Në këtë mënyrë ky grupim pranoi se beteja e tij brenda BDI-së nuk ishte për përmirësimin e qeverisjes, por kundër një emri të veçantë, atij të Artan Grubit.

“Grupi i Zjarrit”, një përçarje e re brenda shqiptarëve në RMV

Kjo nuk është hera e parë që “Grupi i Zjarrit” përdoret si një term politikë nga shqiptarët.

Për herë të parë ky term u përdor nga Andrea Zisi në vitin 1936 në Athinë, i cili krijoi një grupim antimarksist.

Më 1939 Andrea Zisi erdhi në Shqipëri për të sabotuar lëvizjen komuniste dhe antifashiste. Ai formoi në Korçë një komitet qendror dhe në Tiranë e në Vlorë nga një komitet qarkor. Platforma politike e këtij grupi të vetëquajtur Partia Komuniste Shqiptare ishte krejtësisht antimarksiste dhe kundërrevolucionare. A.Zisi kishte shpikur një «teori» të re, sipas së eilës kalaja fashiste duhej marrë nga brenda, prandaj komunistët, në vend që të luftonin hapur kundër pushtuesve, duhej të shkriheshin në aparatin e tyre politik dhe administrativ.

Kjo filozofi duket se është rimarë edhe nga “Grupi i Zjarrit” në Maqedoninë e Veriut, i cili synon që të marrë pushtetin në BDI nga brenda, duke luftuar kryetarin aktual përmes sulmeve ndaj të zgjedhurve të tij, siç është edhe rasti i Grubit.

Në përbërje të tij ky grupim ka vetëm 2 deputetë dhe nuk ka ndikim në politikat e brendshme të BDI.
Gjithësesi për të shmangur çdo surprizë prej tyre në mbështetje të qeverisë, kryeministri Kovaçevski zgjeroi bazën e qeverisjes së tij duke afruar në qeveri edhe Aleancën e Shqiptarëve dhe duke siguruar një mazhorancë solide në Kuvend dhe duke e sfumuar peshën e “Grupit të Zjarrit” brenda BDI.

Mediat dhe analistë të ndryshëm e shohin “Grupin e Zjarrit” si një lëvizje përçarëse brenda BDI. Kreu i “Grupit të Zjarrit, Izet Mexhiti e ka mohuar këtë, por nga ana tjetër nuk e ka përjashtuar mundësinë e formimit të një partie politike të re, çka do të thotë një përpjekje përçarëse në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. /Zoom.al