zoom

Të gjitha

Gjykata i refuzoi kërkesën për liri – Berisha: Gjykatëse mjerane, unë nuk ndihem i izoluar

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi këtë pasdite vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ta lënë në fuqi arrestin shtëpiak për të.

Berisha, përmes avokatit të tij, kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë në apel, duke kërkuar të shfuqizohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Por sipas Berishës, vendimi i gjyqtares ishte i diktuar nga kryeministri Edi Rama. Pavarësisht verdiktit gjyqësor, shtoi Berisha, beteja e demokratëve përballë qeverisë nuk do të ndalet.

“Miqtë e mi, sot një gjykatëse mjerane, produkt i reformës së Xhorxh Sorosit, në verbërinë e saj, mbajti në fuqi vendimin e diktuar nga Edi Rama. Kjo mjerane nuk guxoi të shprehej dje, pasi nuk lidheshin dot me Edi Ramën jashtë vendit, por priti sa të merrte urdhrin dhe të komunikonte vendimin e saj.

Por unë jam sot me ju, nuk ndjehem kurrë i izoluar, përkundrazi ndjehem më i motivuar se kurrë në betejën time, më optimist, më me shpresë se asnjëherë. Në emër tuaj, luftëtarë të lirisë, njerëz të emancipuar, të rinj, të reja, burra dhe gra të guximit, që po mbillni shpresë çdo natë në Tiranë dhe në Shqipëri, ftoj shqiptarët të ngrihen dhe të bashkohen me ju”, tha Sali Berisha para demokratëve të mbledhur poshtë shtëpisë së tij.