zoom

Sport

Gjoba për tifozët që shkatërruan stadiumin në derbi, Tirana kundër FSHF-së

Klasikja mes Tiranës dhe Vllaznisë rrezikon të luhet në “Selman Stërmasi”. Janë burime në FSHF që bëjnë me dije se sfida rrezikon të luhet në stadiumin e dytë të qytetit, pasi të hënën ka një event në “Air Albania”.

Gjithsesi, sot do të vendoset ku do të luhet sfida mes dy ekipeve. Tej shkaqeve të ndryshme zyrtare në mes janë gjëra jo zyrtare dhe kanë të bëjnë me ndeshjet derbi. KF Tirana në fakt prej kohësh nuk është e pakënaqur me menaxhmentin e stadiumit, për mënyrën se si menaxhohet ndeshja derbi. Ose më saktë ngarkesa financiare që merr Tirana, por edhe Partizani e klube të tjera, të cilët luajnë në “Air Albania” dhe duhet të paguajnë dëmet që kryejnë tifozët respektivë.

Tirana pranon që të paguajë gjobën e Disiplinës, por nga ana tjetër, nuk mund të marrë përsipër përgjegjësi civile, të cilat i ka marrë dhe ka shkuar mbi 350 milionë lekë (të vjetër). Përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive dhe t’i ngarkohet në disproporcion një pale. Tirana i ka kërkuar federatës që të gjithë të paguajnë dëmin që kanë shkaktuar dhe të mos jetë klubi që të paguajë për të tjerët.

Klubi në një ndeshje derbi paguan rreth 40% të të ardhurave për biletat, sigurinë dhe në njëfarë mënyre organizimin e ndeshjeve. Në fund pasi mbyllet ndeshja, Tirana për sjelljen e tifozëve të saj paguan 35 mijë euro shtesë si pagim dëmi. Bardheblutë thonë dhe argumentojnë me të drejtë se vetëm për ndeshjen me Partizanin për qiranë e stadiumit, sigurinë paguajnë 60 milionë lekë të vjetër. Shto këtu edhe dëmet.

Shkurt, derbi luhet për të tjerët ose për stadiumin. Nga ana tjetër, si stadiumi (FSHF-ja në këtë rast) dhe siguria nuk mbajnë përgjegjësi për gjërat që ndodhin në impiant. Thjesht këto dy palë nuk mund të jenë vetëm për të vjelë paratë e ndeshjes dhe nuk bëjnë asgjë për të parandaluar dhunën apo të paktën për të identifikuar dëmtuesit e stadiumit. Në fakt, Tirana, Partizani dhe çdo klub tjetër kërkojnë që pronari i stadiumit të identifikojë dhunuesit dhe t’i vërë para përgjegjësisë civile.

Kjo do të ishte shumë e drejtë për të gjitha palët. Stadiumi i ka mundësitë, pasi e ka teknologjinë për të gjetur shkatërruesit. Nëse çdo individ vihet para përgjegjësisë civile dhe paguan dëmet edhe klubi do ta ketë më të thjeshtë. Deri sot, asnjë person nuk është dënuar civilisht për një dëm që ka shkaktuar në stadium. Dhe në këto kushte, në fund e pëson Tirana që çdo ndeshje e paguan me një shtesë 40 mijë euro, sepse një tifoz është mësuar të shkatërrojë pa asnjë shkak sende të ndryshme në stadium.