zoom

Aktualitet

Kontrabandonin ilaçe e pajisje dentare nga Greqia dhe Turqia, pranga pronarit të depos e farmacive

Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, në kuadër të një operacioni të koduar “Medikament”.

Policia konfirmoi se të dyshuarit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, ishin përfshirë në kontrabandën e ilaçeve, me vlerë 17 mijë euro.

Nga hetimet rezulton se njëri prej tyre kishte depo dhe farmaci, ndërsa tjetri dy farmaci. Ata i merrnin ilaçet kontrabandë nga Greqia dhe Turqia,si dhe pajisje dentare.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor “Medikament”.

Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Dhe më tej sqarohet se gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.

Dosja dhe materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme. /ZOOM.AL/