Investigimi/ Si i lulëzoi kontrabanda e ilaçeve me covid-19, Remivir dhe Remdesivir kryesojnë listën e zezë

Tregu i zi i ilaçeve u rrit me ritme marramendëse gjatë pandemisë së shkaktuar nga Sars-Cov-2. Duke u fshehur pas ligjit dhe amullisë për ekzistencën e protokolleve të trajtimit, mjekët e spitaleve Covidrekomanduan masivisht antiviralët e “ndaluar”, por që nuk ishte e vështirë të gjendeshin. Ekspertët akuzojnë se në kontrabandën e medikamenteve është përfshirë edhe vetë Agjencia Kombëtare e Barnave.

Autor: Ilir KARABRAHIMI

Me recetën në xhep, të lëshuar nga një prej bluzave të bardha që udhëhoqi betejën ndaj covid 19 në vendin tonë, Arbeni pret me padurim autobusin e linjës së Prishtinës. Ka porositur Remdisivir, një ndër antiviralët më të përshkruar nga mjekët për trajtimin e Covidit, por që tregtimi i tij nuk lejohet në Shqipëri. E megjithatë ai nuk mungon, pasi u fut kontrabandë nga disa rrugë. Një ndër më të shpeshtat është edhe ajo nga Kosova. 35-vjeçari i tregon Investigative Network Albania-s se të dy prindërit e tij janë në gjendje të rënduar dhe po i trajton në kushte shtëpiake.

“Babai është 72 vjeç, kurse nëna 68. Kam dy ditë që i vura aparat oksigjeni. I mora me qira, 400 euro për një muaj të dy”, – i tha “Investigative Network Albania”  në fillim të prillit 35-vjecari.

Si shumë të tjerë edhe ai shpresat i ka varur tek antiviralët, të cilët nuk lejohen në vendin tonë.

Për rrjedhojë, ai i është drejtuar tregut të zi, në një skemë abuzive, që përfshin mjekë, infermierë, farmaci e shpeshherë edhe depo farmaceutike.

 

“Mjeku, me të cilin jam lidhur, më sugjeroi Remdesivir. Infermieri, që vjen kujdeset në shtëpi, më sugjeroi një farmaci te sheshi “Willson”, e cila më lidhi me një person që i sjell nga Kosova, pasi atje është më lirë, sesa në pikat që e tregtojnë këtu në Shqipëri. Tani po pres të marr porosinë”, – thotë ai për Investigative Network Albania.

Recetë ku një prej bluzave të bardha përshkruan përdorimin e Remdesevir në kushte shtëpie

Asnjë prej antiviralëve, si Favira apo Remivir, që mbushën tregun e farmaceutikës gjatë kulmit të pandemisë, nëntor 2020 – prill 2021, nuk është i regjistruar dhe as ka leje për t’u tregtuar në vendin tonë. Referuar ligjit, mjeku e ka të ndaluar që të rekomandojë ilaçe apo medikamente që nuk janë pjesë e listës së barnave të regjistruara; ndërsa farmacitë, nëse tregtojnë barna “pa pullë”, ndëshkohen me gjobë nga 500 mijë lekë e deri në heqje të licencës.

Me gjithë këtë kufizim ligjor, vetë mjekët i rekomanduan masivisht si jetëshpëtuese këto medikamente dhe shpeshherë të orientojnë drejt personit që i tregton. Kjo solli lulëzimin e tregut të zi.

Recetë elektronike marrë nga një mjek i një spitali privat

Zyrtarisht në Shqipëri pacientët e prekur me Covid 19 u trajtuan në pavionet e spitaleve Covid 1, 2 dhe 3, të ngritura enkas për këtë sëmundje, shërbim të tillë kundrjet pagesave marramendëse ofroi edhe sektori privat.

Antiviral  REMIVIR 100 mg, i blerë nga një pacient në tregun e zi

Kërkesa për Favira (Favipiravir, 200 mg), një tjetër antiviral, u rrit me ritme të shpejta në nëntor të vitit 2020, menjëherë sapo ky antiviral u fut në listën e barnave të lejuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Favira importohet nga Japonia e largët dhe Turqia, por “drita jeshile”, e dhënë nga fqinjët tanë maqedonas, i hapi rrugë kontrabandës, pasi në vendin tonë e vetmja mënyrë për ta siguruar mbetej tregu i zi.

Nëse në tregun turk Favira shitej me rreth 8 dollarë për 40 tableta, çmimi në kulmin e pandemisë u pesëfishua. Në Tiranë një sasi të tillë e paguan deri në 350 euro.

Remdesivir është një tjetër antiviral që ofrohet vetëm në kushte spitalore. E megjithatë në tregun shqiptar nuk ishte e vështirë ta gjeje. Njëjtë edhe Remivir, por është më i kushtueshëm, e tregtojnë ilegalisht edhe disa spitale private, me kosto deri në 300-400 euro.

 Remdesivir venoz,  i blerë nga një qytetar për përdorim shtëpiak

Remdesivir është një medikament antiviral që prodhohet në Bangladesh dhe u miratua për përdorim urgjent për të trajtuar Covid-19 në rreth 50 vende të botës. Për shkak të efekteve të menjëhershme negative/pozitive duhet të përdoret vetëm në kushte spitalore nën kujdesin e personelit mjekësor.

Mjeku ma rekomandoi për një javë, por unë e përdora vetëm dy ditët e para, sepse fillova të ndjej dhimbje të forta në stomak, ndërkohë që parametrat nuk i kisha keq. Mjeku ma rekomandoi si masë parandaluese, pasi i frikësohej ndonjë komplikimi të papritur”, – na thotë Ardita, një tjetër paciente, së cilës mjeku ia ka dërguar recetën së bashku me numrin e kompanisë farmaceutike, ku mund ta siguronte antiviralin.

Remdesivir 100mg

Në mes të debateve për protokollet dhe akuzave për mungesë fondesh, antiviralët u futën zyrtarisht si terapi në vendin tonë 10 muaj pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19. Me një procedurë speciale Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin e parë për blerjen e tyre, vetëm për përdorim spitalor, në fund të dhjetorit të vitit 2020, por, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të sëmurëve i varën shpresat tek antiviralët, ligji e ndalonte tregtimin e tyre në rrjetin e hapur farmaceutik.

Pavarësisht kufizimeve ligjore, mjekë të njohur e shefa shërbimesh, që udhëhoqën luftën ndaj Covid-19, firmosën në qindra receta mjekimi si terapi kryesore në kushte shtëpie, pikërisht antiviralët.

Në shumicën e rasteve, krahas antiviralit shënohej edhe vendi se ku mund të gjendej dhe numri i kontaktit, duke sjellë kështu lulëzimin e një tregu të paligjshëm të këtyre medikamenteve jetëshpëtuese.

FAVIRA 200mg

Aq sa tregtimi i jashtëligjshëm i këtyre medikamenteve është një sekret që e dinë të gjithë.

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero është njëri prej bluzave të bardha që e ka rekomanduar dhe i ka përdorur në trajtimin e pacientëve antiviralët Favira, Remdesivir dhe Remivir. Ai argumenton se, mes etikës dhe shpëtimit të jetëve njerëzore, zgjodhën këtë të fundit, edhe pse me koston e “shmangies” së ligjit.

“Mos harroni që jemi/ishim në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, të një pandemie të pashoqe prej më shumë se 100 vjetësh. Shpesh mjekët, unë i pari, ishin në situata, kur, për të shpëtuar jetën, nuk kanë kohë të shohin etikën. Në këto raste për ne është e rëndësishme që medikamenti të ketë evidencë pozitive, të ofrohet në farmaci ose spital, dhe të mundësojë shërimin e të sëmurit”, – bën bilancin e kësaj situate infeksionisti Pipero.

Përballë fakteve se këto medikamente të paregjistruara dhe pa pullë në vendin tonë nuk janë tregtuar në farmaci, por krejt në të zezë, Pipero thotë se gjithçka mbetet për t’u parë, vetëm pasi të ketë përfunduar pandemia.

“Mbetet të gjykohemi pas kësaj pandemie, jo vetëm ne, bluzat e bardha, por edhe sistemet shëndetësore kudo në botë”, – thotë Pipero.

Arsyet se përse këto medikamente hyjnë në Shqipëri përmes rrugëve të errëta janë shumë.

E para lidhet me ndalesën ligjore që i la antiviralët jashtë protokolleve zyrtare të trajtimit të Covid-19. Por, pavarësisht kësaj, numri i dozave të shitura në tregun e zi është i pallogaritshëm. Përfituesit gjithashtu.

Ekspertët justifikohen me faktin se në rastin e Covid-19 nuk kishte një protokoll të gjithëpranuar mjekimi, të rekomanduar nga OBSH, shoqatat ndërkombëtare të mjekëve infeksionistë, pneumologë apo intensivistë. Për këtë arsye, vende të ndryshme, mbështetur në eksperiencat e tyre ose dhe të huazuara nga vendet e tjera, kanë aplikuar udhëzues, “protokolle”, për trajtimin e Covid-19.

Favira (Favipiravir) dhe Remivir (Remdesevir) nuk janë të regjistruara në vendin tonë dhe si të tilla nuk mund të përfshihen në udhëzuesit zyrtarë për trajtimin e Covid-19, – i shpjegon Investigative Network Albania Pipero. – Theksoj se këto medikamente janë përdorur në spitalin Covid 1, duke u importuar me leje të veçantë importi për medikamentet e paregjistruara, sipas ligjit në fuqi për barnat”, – përfundon mjeku, që ngjalli besimin e qindra të infektuarve gjatë kulmit të pandemisë.

FAVIRA 200 mg, pa pullë sigurie, e blerë në tregun e zi

Por krejt ndryshe mendon Dalina Raseni, mjeke familjeje. Ajo ka asistuar qindra pacientë të prekur nga Covid-19, por është kundër përdorimit të Remdesivir-it në kushte shtëpie. Sipas saj, efektet anësore janë të shumta dhe përdorimi i tyre është mjaft delikat.

“Edhe në kushte spitalore përdorimi i tyre është rekomanduar, vetëm nëse përfitimi prej tyre tejkalon rrezikun e përdorimit”, – thotë ajo dhe sqaron se efektet anësore mund të jenë që nga dhimbja e kokës e deri tek insuficienca respiratore, akute.

Në nëntor të vitit 2020, OBSH përmes një deklarate zyrtare u shpreh kundër përdorimit të antiviralëve për trajtimin e SARS Covid-19, por megjithatë të gjithë kanë qenë në dijeni të tregtimit të këtyre ilaçeve pa pullë.

Në këtë situatë, ku ende ka paqartësi për kurat e përdorura, ajo ka preferuar të mos rrezikojë me antiviralët.

 

“Përveç efekteve të mundshme anësore, të cilat janë të shumta, përdorimi i medikamenteve që qarkullojnë në tregun e zi, mbetet i pasigurt”, – thotë doktoreshë Raseni.

Për shkak të kërkesës së madhe për antiviralë që trajtojnë SARS-Covid-19, vendi po përballet me një fluks të madh ilaçesh të pasigurta. Nuk dihet origjina e tyre, kushtet e transportit, datat e skadencës, por edhe efektet anësore që shkaktojnë.

Actemra (Tocilizumab 20 mg/ml) është një tjetër bar që përdoret në spitale në vendin tonë për trajtimin e Covid-19. Edhe ky medikament është miratuar vetëm për përdorim spitalor.

 “Personat që kanë të afërm të prekur me Covid-19, nuk kanë rrugë tjetër, kanë, nuk kanë, i marrin. Unë personalisht iu them që nuk duhet të përdoren kurrsesi në kushte shtëpie.”, – na thotë një farmaciste, e cila tregon se shumë pacientë ia kërkojë këtë medikament.

Ndërsa mjekët ende plotësojnë recetat me ilaçe që nuk janë të pajisura me autorizimin për tregtim.

Dilemës, se përse në spitalet shqiptare pacientët trajtohen me Tocilizumab 400 mg dhe po të njëjtët mjekë rekomandojnë Remivir 100 mg dhe Remdesivir 100 mg (venoz) jashtë dyerve të spitalit, reanimatori Tritan Shehu i përgjigjet se e konsideron të qëllimshme. Madje ai shkon edhe më tej, kur akuzon se është lojë për t`i dhënë mundësi të përfitojë kontrabanda, madje, në këtë lojë, sipas tij, është e përfshirë edhe vetë Agjencia e Barnave.

“Agjencia jonë e kontrollit të barnave është jashtë funksionit, jashtë funksionit teknik dhe jashtë kapaciteteve njerëzore dhe absolutisht është e përfshirë në këtë lojë që po bëhet. Të gjitha medikamentet që futen në Shqipëri, përfshi këtu edhe vaksinat Covid, duhet që të jenë të certifikuara së paku nga EMA europiane apo FDA amerikane. Në Shqipëri nuk duhet të qarkullojnë medikamente që së paku nuk janë të certifikuara nga këto dy agjenci. Shqiptarët nuk kanë pse të marrin medikamente të pasigurta nga greku, italiani e të tjerët. Shqiptarët duhet të marrin medikamente të sigurisë medikamentoze, të barabartë me vende të tjera europiane.”, – thotë ish-ministri i Shëndetësisë, Shehu.

Fakti që kemi të bëjmë me një treg të paligjshëm, “konfirmohet” edhe nga Regjistri i Barnave të Autorizuara për Tregtim, që është i publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Barnave. Referuar nenit 20 për “Barnat dhe tregun farmaceutik”, çdo medikament që qarkullon në vendin tonë “duhet të ketë detyrimisht të aplikuar në paketimin e jashtëm pullën e kontrollit të barnave”, por gjatë pandemisë tregu i ilaçeve “pa pullë” dhe që futen me çanta ka njohur vetëm rritje.

Në këtë listë të gjatë medikamentesh, që lejohen të tregtohen në vendin tonë, nuk figuron asnjëri nga këta antiviralë.

Ekzistenca e tregut informal të medikamenteve pranohet edhe nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë. Diana Toma, presidente e këtij institucioni, sqaron për “Investigative Network Albania” se për të mbuluar deformimin e procesit është përdorur pikërisht klauzola, që parashikon futjen e barnave në kohë katastrofash apo fatkeqësish natyrore.

“Ligji i barnave është mjaft i qartë për atë që lejohet dhe atë që nuk lejohet. Në këtë rast është shfrytëzuar pikërisht kjo klauzolë gjatë kohës së pandemisë, – thotë ajo duke sqaruar se “Urdhri i Farmacistëve” të Shqipërisë nuk është kompetent për procedurat që ndiqen në vendosjen e barnave në treg”.

Beteja e humbur me kontrabandën e ilaçeve

A.B., është një i ri shqiptar, që shoqëron pasagjerë drejt Bullgarisë me një automjet privat.

Në një rrëfim ekskluziv për Investigative Network Albania ai tregon se në fakt, stacioni i tij i fundit është Svilengradi (qytet i vogël mes kufirit me Turqinë dhe Greqinë); që prej aty udhëton drejt Turqisë, ku mbush “çantat” me antiviralë dhe ua sjellë pacientëve që i kanë porositur në Shqipëri.

“Pasagjerët zbresin në Sofje, por unë bëj edhe 300 km drejt kufirit me Turqinë. Aty unë e marr me 4-5 euro, sepse ma sjellin vendasit, që e marrin direkt nga Turqia. Nuk më leverdis ta blej në Bullgari, se edhe aty gjen, por me një çmim më të lartë”, – rrëfehet i riu, i cili thotë se nga pasagjerët që merr i intereson të nxjerrë vetëm shpenzimet e naftës.

Doganat për të nuk janë problem, pasi ka arritur ta gjejë gjuhën e përbashkët dhe në disa raste ai rrëfen se ka arritur të fusë deri në 100 pako vetëm me një rrugë.

 “Është pak problem, kur futemi në kufirin shqiptar, sepse ndodh që edhe të kontrollojnë, por me policët tanë e kemi gjetur gjuhën dhe kam arrit të kaloj deri në 100 pako”, – pranon ai.

 

I bindur se nuk po bën ndonjë shkelje ligjore, ai rrëfen për INA MEDIA-n se në shumë raste nuk e kontrollojnë, pasi e njohin.

“Po unë nuk po bëj krim, po fus një ilaç që shteti nuk ka takat me e fut, – thotë 35-vjeçari. – Janë tri pika doganore, nuk para kontrollojnë. Më shumë të kontrollojnë, kur futesh për në Bullgari, por unë e kam bërë shpesh këtë rrugë dhe punonjësit e doganave më njohin dhe i njoh. Pastaj unë nuk jam duke transportu hashash apo drogë”, – shfajësohet i riu.

Kontrabanda e ilaçeve ka qenë shpesh në qendër të aksioneve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Afro tre vjet më parë, Ministria e Shëndetësisë i shpalli luftë të gjitha farmacive në rang kombëtar.

Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë u ngritën dy task-forces në periudhat shtator 2018 deri në nëntor 2019 dhe po ashtu task-force 2 për vitin 2019 me afat deri në qershor 2019.

Task-Force e ngritur me jehonë të madhe nga qeveria shqiptare për kontrollin e barnave dhe pajisjeve mjekësore funksionoi vetëm për disa muaj. Pas disa gjobave, në një vlerë totale prej 1.5 milionë lekësh për tregtim të barnave pa pullën e sigurisë dhe pa recetën e mjekut, gjithçka u harrua.

Paradoksalisht, në kulmin e pandemisë, kur tregu i zi i ilaçeve mori përmasa marramendëse, task forcenuk ishte më në fuqi.

Ish-ministri e Shëndetësisë, Tritan Shehu, ndërsa kritikon të gjithë mënyrën se si u menaxhua pandemia, e konsideron të pafalshme që ende nuk është hapur drita jeshile për tregtimin e antiviralëve edhe në rrjetin e farmacive të hapura.

“Akoma në listën e barnave nuk janë këta antiviralë. Kjo është e pafalshme. Këta antiviralë duhet të jenë pjesë e listës dhe protokolleve të Covidit, madje edhe në spitale i thuhet pacientit: “Shko dhe bliji vetë antiviralët dhe silli”. Ky është krim”, – thotë ai.

Keqmenaxhimi i epidemisë dhe korrupsioni iu kushton shqiptarëve mbi 12 mijë humbje jete, shëndeti dhe qindra miliona euro nga xhepi”, – përfundon ish-ministri i Shëndetësisë, Shehu.

 

Mjekët, antiviralë me WhatsApp

Për shkak të kufizimeve të Covidit, vizitat te mjeku kanë qenë thuajse të pamundura. Në këtë situatë, mjekët i rekomandonin antiviralët në WhatsApp, pa e vizituar apo pa e parë personalisht nga afër pacientin, të cilit ia rekomandonin. Ndonëse këto medikamente nuk njiheshin më herët, mjekët rekomandues iu japin garanci pacientëve, duke iu thënë se janë konsultuar me kolegë të vendeve të tjera, vende të cilat këto ilaçe i kanë në listat e barnave të regjistruara, por edhe në protokollet e Covidit.

Shkëmbejnë receta mes kolegëve nga vende të tjera ose edhe mes kolegëve këtu në Shqipëri dhe kura e tyre ka rezultuar e suksesshme”, – pohojnë disa prej mjekëve. /INA


Të lidhura

Të lidhura

Next Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *














Të fundit

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.