zoom

Lajme

Gjesti rikthehet në muzikë me “Memories”, një këngë dedikuar vëllait të ndjerë

Gjesti rikthehet në muzikë me “Memories”, një këngë dedikuar vëllait të ndjerë

Gjesti është rikthyer në muzikë me një projekt tejet personal. Kënga e tij më e re, “Memories”, vjen si një dedikim prekës për vëllain e ndjerë, Eldion Kelmendi, i cili humbi jetën tragjikisht në shtator të vitit të kaluar në moshën 15-vjeçare.

Pas një periudhe heshtjeje, Gjesti ka zgjedhur ta shprehë dhimbjen, mungesën dhe mallin përmes muzikës. “Memories” është një rrëfim i hapur emocional, ku artisti flet për kujtimet që nuk fshihen kurrë, për boshllëkun që lë pas humbja dhe për përpjekjen për të vazhduar jetën, edhe kur gjithçka duket e pamundur.

Teksti i këngës është i mbushur me reflektime për kohën e kaluar bashkë, për pyetjet pa përgjigje dhe për ndjesinë e fajit që shpesh shoqëron humbjen.

“Muzika më ka qëndruar gjithmonë pranë, si në gëzim ashtu edhe në dhimbje. ‘Memories’ është një këngë që e kam shkruar me lot dhe që e kam pasur shumë të vështirë ta regjistroj. Jam përpjekur ta kursej familjen time, që të mos i mërzis shumë. Në gjithë këtë mërzi, po mundohem të gjej lumturi që po kthehem në muzikë afër jush.” – shkruan Gjesti në Instagram.

Edhe vizualisht, “Memories” ka një atmosferë të errët dhe reflektuese, në harmoni me temën e këngës. Me këtë projekt, Gjesti nuk sjell thjesht një këngë të re, por një homazh për vëllain dhe një mënyrë për të ndarë dhimbjen me publikun.

Postime të lidhura