zoom

Bota

Gjermania reziston, s’do ndjekë Macron me zgjedhje. Von der Leyen akuzon: Pati ndërhyrje nga jashtë

Humbja për qendrën e majtë dhe progresistët përballë të djathtëve dhe ekstremit të tyre në zgjedhjet e Parlamentit Europian ishte gati shokuese, teksa presidenti francez Emanuel Macron sfidoi qytetarët e tij me zgjedhje të parakohëshme dhe shpërndarje të Parlamentit.

Por ndryshe nga homologu i tij, nuk ndan të njëjtin mendim kancelari gjerman.

“Gjermania nuk do të ndjekë Francën dhe nuk do të mbajë zgjedhje të parakohshme pavarësisht performancës së koalicionit qeverisës në zgjedhjet e BE-së”, tha të hënën një zëdhënës i kancelarit Olaf Scholz.

Steffen Hebestreit në një konferencë për shtyp njoftoi se data e rregullt e zgjedhjeve është në vjeshtën e ardhshme dhe kjo nuk do të ndryshojë. Koalicioni i Scholz-it pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet evropiane.

Rezultati nxiti thirrje nga partitë opozitare që Scholz të ndiqte shembullin e Emmanuel Macron dhe të shpallte zgjedhje të parakohshme.

Kurse shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se autoritetet ishin përballur me ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm gjatë zgjedhjeve të Parlamentit Europian, por ia kishin dalë me sukses.

“Ne kemi parë mjaft ndërhyrje jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë, për sa i përket opinionit tonë publik,” u tha ajo gazetarëve në një konferencë të CDU në Berlin.

“Ne kemi qenë në gjendje t’i menaxhojmë këto ndërhyrje, por sigurisht që nuk i kemi parë të gjitha,” përfundoi ajo pa dhënë detaje. /ZOOM.AL/