zoom

Aktualitet

Gjatë verës, fundjavës dhe festave, qytetarët kalojnë kufirin Kosovë-Shqipëri pa u regjistruar

Duke nisur nga 1 qershori deri më 30 shtator mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë kufij.

Po ashtu edhe për festat zyrtare apo në fundjavë nuk do të ketë kontrolle dhe asnjë ndalesë në doganën mes dy shteteve. Marrëveshja është arritur sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Ministrat e Brendshëm, të Kosovës dhe Shqipërisë kanë bërë me dije se do bëhen lehtësira të kalimit kufitar.

“Prej 1 qershorit deri me 30 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore, në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë në qarkullimin e qytetarëve të të dy anëve”, tha Çuçi.

“Herën e fundit kur isha në Shqipëri, polici kufitar në Vermicë më uroi udhëtim të mbarë”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës.

Kryeministri Edi Rama ndërhyri duke bërë një batutë që shkaktoi të qeshura në mbledhje.

“Mund t’jua kurseni këtë urim qytetarëve dhe kur kalojnë të mos kenë policë fare që i kurojnë dhe të ketë thjesht ndalime të rastësishme për cdo 500 makina. Mund të ndodhë kjo apo duhet patjetër që policët të përshëndesin të gjithë. E kam thënë që mbledhjen e parë, vetëm ministrat e brendshëm do të firmosin një marrëveshje të tillë. Shpresoj që në korrik, qytetarët të vijnë pa ia uruar policia mirëseardhjen”, tha Rama.

/Zoom.al