zoom

Ekonomi

Gjashtë muaj rënie për Bankën Kombëtare Tregtare

Në raportin e publikuar nga Banka e Shqipërisë për sa i takon fitimeve neto të bankave të nivelit të dytë në vend, në 6 mujorin e parë të vitit 2022, spikatin shifra mjaft interesante dhe domethënëse për tregun bankar në vend. Banka të rëndësishme si Raiffeisen, Credins apo ABI Bank, rezultojnë me rritje në fitim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përkatësisht me +4.7 milionë euro, +4 milionë euro dhe +2.9 milionë euro.

Ndërkohë që ajo që bie më tepër në sy është se banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare, ka shënuar një rënie të madhe dhe të paprecedentë për të në këto vitet e fundit. Në fakt, kjo bankë rezulton me 16.8 milionë euro më pak para’ të fituara në krahasim me një vit më parë. Nuk dihen arsyet por ajo që është e sigurt, është se shifrat janë reale, pasi janë të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu edhe dy banka të tjera kanë rezultuar me humbje, por më të vogla. OTP Albania raporton 8.4 milionë euro dhe Intesa Sanpaolo 7.7 milionë euro më pak për të njëjtën periudhë.

Megjithëse sipas të dhënave të BSH-së ka një rënie të fitimit të BKT-së, kjo e fundit deklaron për Zoom.al se treguesit e saj, sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave-AAB shfaqin një pamje të ndryshme.

Bazuar te të dhënat e AAB, fitimi neto i BKT ka rezultuar 53 mil USD në Qershor 2022 krahasuar me fitimin 39 mil USD ne Qershor 2021.

Arsyeja e këtij ndryshimi ka të bëjë me metodologjinë e raportimit financiar. Treguesit në faqen e AAB janë në përputhje me SNRF, Standardet Ndërkombëtare te Raportimit Financiar, të cilat janë të ndryshme nga standardet e raportimit te Bankës së Shqipërisë të zbatueshme për qëllime rregullatore.

Gjithashtu, raportimi financiar sipas SNRF është një kërkesë ligjore dhe fiskale prej më shumë se 10 vitesh, në bazë të Ligjit të Kontabilitetit dhe kuadrit tatimor.

Për rrjedhojë edhe tatimi mbi fitimin i bankave llogaritet dhe paguhet sipas SNRF. Aktualisht, në bazë edhe të kërkesave të vazhdueshme të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë ka filluar një proces të përbashkët me AAB, për të ndryshuar raportimin rregullator të bankave dhe për ta sjellë në përputhje me kërkesat e SNRF.

Në një vështrim të përgjithshëm, tregu bankar shqiptar ka qenë pa oshilacione të mëdha gjatë dekadës së fundit në Shqipëri. Së fundmi, zhvillimet ekonomike janë relativisht të qëndrueshme dhe vëllimi i aktivitetit ekonomik është rritur, duke sugjeruar një rritje të mundshme ekonomike edhe në terma afatmesme.