Aplikacion
Një ngjarje tragjike dhe e pazakontë ka ndodhur të martën në Windsor të Anglisë, ku biznesmeni i njohur indian Sunjay Kapur, 53 vjeç, humbi jetën papritur gjatë një ndeshjeje polo.
Kapur, i njohur si mik i afërt i Princit William dhe pronar i ekipit të polos Aureus, po merrte pjesë në gjysmëfinalen e Cartier Queen’s Cup në stadiumin Smith’s Lawn të Guards Polo Club, kur ndodhi incidenti fatal.
Sipas dëshmitarëve, Kapur i kishte thënë shokëve të skuadrës: “Kam gëlltitur diçka”, pak sekonda përpara se të rrëzohej në tokë. Dyshohet se një insekt, ndoshta një bletë, mund të ketë hyrë në gojën e tij dhe shkaktuar një pickim që çoi në shok anafilaktik dhe më pas në atak kardiak fatal, raportoi “The Times”.
Sunjay Kapur ishte një figurë e njohur në industrinë globale të pjesëve automobilistike, duke drejtuar kompaninë “Sona Comstar”. Në një deklaratë për mediat, kompania shprehu dhimbjen për humbjen e udhëheqësit të saj, duke e cilësuar atë si “një vizionar, pasioni dhe përkushtimi i të cilit formësuan suksesin e kompanisë.”
Vetëm disa orë përpara vdekjes së tij tragjike, Kapur kishte bërë një postim prekës në rrjetet sociale, duke shprehur ngushëllimet për viktimat e një aksidenti ajror të “Air India” në Ahmedabad.
Sunjay Kapur la pas bashkëshorten e tij, sipërmarrësen dhe ish-modelen Priya Sachdev, si dhe një djalë të vogël, Azarias, të lindur në vitin 2018./ Zoom.al