zoom

Aktualitet

Gazetari e pëson nga fotot Ramës në rrugën Qukës–Qafë Plloçë

Gazetari e pëson nga fotot Ramës në rrugën Qukës–Qafë Plloçë

Tre ditë më parë, në 27 gusht, në pikë të mëngjesit, kryeministri Rama shpërndau në rrjetet e tij sociale me mbi 1 milionë ndjekës, (afro sa gjysma e popullsisë), foto të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, një segmet që ka 16 vjet që ka nisur për t’u ndërtuar.

“Mirëmëngjes dhe me një prej pamjeve panoramike të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, tanimë pak ditë nga përfundimi pas një sage të vërtetë, ju uroj një ditë të mbarë” – shkruan kryeministri, siç e shihni në foton e mëposhtme.

Por ky prezantim i kryeministrit, rezultoi një mashtrim. Një gazetar që vendosi ta testojë vetë segmentin, u përball me një realitet krejt tjetër nga ai që sugjeronin fotot e postuar nga kreu i qeverisë, që në fakt tregojnë vetëm segmentin nga Pogradeci në Qafë Plloçë.

Rruga, sipas fotove të shpërndara nga Rama, dukej e asfaltuar dhe gati për t’u vënë në përdorim. Ky imazh ishte edhe arsyeja pse gazetari Shpëtim Luku zgjodhi të marrë aksin e ri 43-kilometërsh, duke braktisur itinerarin e zakonshëm që kalon nga Qafë Thana. Gazetari tregon se, i nxitur edhe nga përgjigjja e një banori të zonës, i cili e minimizoi vështirësinë e rrugës, me “vetëm 200 metra rrugë dheu”, ai nisi rrugëtimin me bindjen se kishte përpara një rrugë gati të përfunduar “tanimë pak ditë nga përfundimi” siç shkruante kryeministri Rama.

Por realiteti ishte ndryshe.

“Dyqind metrat e dheut nuk më trembën dhe nisa udhëtimin, por llogaritë i kisha bërë gabim. U mbështeta tek fotot e rrjeteve sociale, tek videot, që më krijuan idenë e një rruge të përfunduar, dhe tek informacioni i banorit lokal, informacion që, si gjithmonë, është i deformuar :). Njëri nga tunelet pranë Qafë Plloçës ishte i mbyllur. Për ta anashkaluar, duhej kaluar nëpër një rrugë shumë të keqe mali, që zgjaste jo pak. Ndërkohë, “200 metrat” e banorit ishin në të vërtetë mbi 2 kilometra. Pas tunelit të dytë, që ishte i hapur, dolëm përpara segmenteve rrugore që ende prisnin shtresa asfalti, vijëzime e sinjalistikë. Pra, rruga nuk është e përfunduar. Askush të mos bëjë gabimin të niset drejt Korçës apo Pogradecit nga ky segment prej 43 kilometrash, pa u shpallur zyrtarisht i hapur” – shkruan gazetari.

Përvoja e gazetarit tregon se imazhet e publikuara nga kryeministri nuk përkojnë me realitetin. Ajo dëshmon edhe njëherë sesi propaganda e qeverisë përpiqet të imponojë një realitet virtual, për më tepër duke shitur si sukses një rrugë, gjysma e së cilës ishte ndërtuar që në kohën e qeverisë së Sali Berishës. /Zoom.al

Postimi i plotë i gazetarit:

Kurthi i rrugës së re Qukës–Qafë Plloçë

Lajmet e shpërndara me intensitet në rrjetet sociale më futën në kurth. Kur mbërrita në Qukës dhe më duhej të zgjidhja mes rrugës së Qafë Thanës ose rrugës së re, tundimit nuk i shpëtova dot. Zgjodha aksin e ri Qukës–Qafë Plloçë. Sepse e kisha përfytyruar rrugën të mbaruar realisht, por të pahapur zyrtarisht. Për siguri, pyeta edhe një banor të zonës nëse rruga ishte e kalueshme. “Po, vetëm nja 200 metra janë rrugë dheu”, më tha ai.

Dyqind metrat e dheut nuk më trembën dhe nisa udhëtimin, por llogaritë i kisha bërë gabim. U mbështeta tek fotot e rrjeteve sociale, tek videot, që më krijuan idenë e një rruge të përfunduar, dhe tek informacioni i banorit lokal, informacion që, si gjithmonë, është i deformuar :).

Njëri nga tunelet pranë Qafë Plloçës ishte i mbyllur. Për ta anashkaluar, duhej kaluar nëpër një rrugë shumë të keqe mali, që zgjaste jo pak. Ndërkohë, “200 metrat” e banorit ishin në të vërtetë mbi 2 kilometra. Pas tunelit të dytë, që ishte i hapur, dolëm përpara segmenteve rrugore që ende prisnin shtresa asfalti, vijëzime e sinjalistikë.

Pra, rruga nuk është e përfunduar. Askush të mos bëjë gabimin të niset drejt Korçës apo Pogradecit nga ky segment prej 43 kilometrash, pa u shpallur zyrtarisht i hapur.

Postime të lidhura