zoom

Bota

Nga luksi me zebra në oborr te SKANDALET e kabinetit/ Fundi i epokës Orban! Çfarë la pas?

Nga luksi me zebra në oborr te SKANDALET e kabinetit/ Fundi i epokës Orban! Çfarë la pas?

Pas më shumë se një dekade e gjysmë në pushtet, qeverisja e Viktor Orban në Hungari është shoqëruar nga një sërë skandalesh që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë dëmtuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Një nga ngjarjet më të bujshme ishte dorëheqja e presidentes Katalin Novak në vitin 2024, pas përfshirjes në një çështje që lidhej me një rast pedofilie. Skandali shkaktoi protesta masive në Budapest dhe u cilësua nga opozita si një nga krizat më të rënda politike gjatë qeverisjes së Orban, duke nxjerrë në pah problemet me transparencën dhe funksionimin e institucioneve.

Në qendër të kritikave ka qenë edhe pasurimi i elitave pranë pushtetit. Emra të afërt me kryeministrin, si Lorinc Meszaros, janë akuzuar për përfitim të kontratave publike dhe fondeve të Bashkimit Europian, duke u kthyer në ndër njerëzit më të pasur në vend. Mediat kanë raportuar për pasuri dhe prona luksoze, që janë bërë simbol i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Shfaqjet e hapura të luksit, si rezidenca e babait të Orban me zebra në oborr u kthyen në simbol të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Këto raste kanë sjellë kritika të ashpra nga BE, e cila ka akuzuar Hungarinë për keqpërdorim të fondeve europiane.

Një tjetër skandal që bëri jehonë ndërkombëtare ishte ai i eurodeputetit Jozsef Szajer në vitin 2020. Ai u kap në Bruksel duke marrë pjesë në një festë në kundërshtim me rregullat e pandemisë, ndërsa policia raportoi edhe për gjetje të lëndëve narkotike. Ngjarja u konsiderua si një goditje për imazhin e partisë në pushtet, për shkak të kontrastit me retorikën e saj konservatore.

Përtej rasteve individuale, qeverisja e Orban është kritikuar vazhdimisht për dobësimin e institucioneve demokratike, kontrollin mbi median dhe ndikimin në sistemin e drejtësisë, duke u cilësuar nga kritikët si një “autokraci elektorale”.

Zgjedhjet e fundit janë parë si moment kyç për të ardhmen politike të vendit, me opozitën që për herë të parë ka arritur të sfidojë realisht pushtetin e gjatë të Orban.

Rezultati i tyre shënon një kthesë të rëndësishme për Hungarinë, duke mbyllur një kapitull të gjatë të qeverisjes së Viktor Orban dhe duke hapur një fazë të re politike nën drejtimin e Peter Magyar, që për shumë qytetarë përfaqëson një shpresë për më shumë demokraci dhe besueshmëri në arenën ndërkombëtare./ Zoom.al

Postime të lidhura