zoom

Aktualitet

Fredi Beleri dënohet me 2 vite burgim, rrezikon mandatin e kryebashkiakut. Mbështetësit: Turp!

Gjykata e Posaçme i jep fund procesit ndaj kryebashkiakut të Himarës, pas 10 muajsh hetime dhe seancash gjyqësore.

Fredi Beleri është dënuar me 2 vite burgim, nga 2,5 që kërkoi SPAK. Ky vendim parashikon gjykimin e shkurtuar, teksa sipas përllogaritjeve të paraburgimit, Beleri e ka shlyer më shumë se një vit izolim dhe duhet të vuajë pjesën tjetër.

Gjithashtu ky vendim i shkallës së parë i rrezikon edhe mandatin e kryebashkiakut. Sepse asnjë i zgjedhur vendor nuk mund ta ushtrojë detyrën nëse dënohet.

Por për të ekzekutuar shkarkimin nga Qeveria, duhet me patjetër edhe vendimi i formës së prerë në Apel. Avokatët pritet ta ankimojnë vendimin e sotëm.

Ndërsa, GJKKO ka dënuar 1 vit e 6 muaj burg Pandeli Kokaveshin, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe do të qëndrojë 3 vite në shërbim prove. Dënimi alternativ për Kokaveshin u vendos, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Mbështetësit e Belerit, pas vendimit të gjykatës kanë thirrur në kor “Turp”.

Kryebashkiaku i arrestuar më 12 maj për blerje votash, dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, u akuzua nga SPAK.

Beleri dhe avokatët e tij, shqiptarë dhe grekë, denoncuan procesin e montuar politikisht me urdhër të kryeministrit Rama. Ata pretenduan se i infiltruari ishte i sajuar ashtu sikurse edhe dëshmitari, teksa mungonin provat.

Drejtësia nuk u tërhoq nga çështja dhe as Tirana zyrtare, pavarësisht presioneve të Athinës për bllokimin e procesit të integrimit të vendit tonë në BE.

Pak para vendimit, debatet në seancë, Beleri akuzoi Ramën

Pak para vendimit të sotëm të GJKKO, në konkluzionet e dhëna nga pala mbrojtëse, Beleri foli vetë, duke akuzuar kryeministrin Edi rama si ideator i çështjes së sajuar ndaj tij, me qëllim marrjen e bashkisë Himarë pa votë.

Në sallën e GJKKo nuk munguan edhe tensionet e debatet mes palës mbrojtëse dhe Prokurorisë së SPAK.

Pjesë nga diskutimi: 

Beleri: Akuza nuk qëndron dhe SPAK duhet të tërheqë dosjen penale.

Çela: Mos anatemoni gjyqtarët, nuk keni asnjë punë me trupën gjykuese, nëse nuk bie dakord mund të apeloni.

Beleri: U përdorën thëniet e një dëshmitari i dënuar për mashtrim. Kjo çështja ka qenë dhe është politike. U shkel prezumimi i pafajësisë. Nuk ka pasur një proces të rregullt gjyqësor. U ndodha para një diskriminimi. Qëllimi i arrestimit dhe mbajtja në burg, është që Rama të mbajë zgjedhje të reja në Himarë. Herët ose vonë do ta gjej drejtësinë. Gjyqtarë sot duhet t’i thoni jo naciononalizmit të sëmurë.

/ZOOM.AL/