zoom

Aktualitet

Franca sjell në pranga “Bebin”, akuzohet për narkotrafik mes Greqisë dhe Shqipërisë. EMRI dhe FOTOT

Një 52-vjeçar shqiptar u soll në pranga sot në Tiranë, teksa është ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë, pasi akuzohet për veprat penale “trafikimi i narkotikëve”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lyon, Francë, njoftohet se është ekstraduar Fraklin Xhelaj, banues në Fier, i njohur edhe me pseudonimin “Bebi”, i akuzuar për narkotrafik mes aksit Greqi-Shqipëri dhe më gjerë.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lyon, Francë, është ekstraduar nga Franca, shtetasi shqiptar Fraklin Xhelaj, 52 vjeç, banues në Fier. Për këtë shtetas, GJKKO, me vendimin e datës 19.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “trafikimi i narkotikëve”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Më tej sqarohet se Xhelaj, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndës narkotike heroinë, duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë, pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Nga hetimet me metoda speciale, ky shtetas dyshohet të jetë përfshirë në tri episode të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë. Nga hetimet dhe veprimet e bashkërenduara midis autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre greke është bërë i mundur sekuestrimi i rreth 27 kg heroinë”, bëri me dije policia.

I ekstraduari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/