zoom

Aktualitet

Foto/ Britanikja në vrasjen e Nikulajt jashtë gjykatës, shpërtheu në lot kur mësoi për ekstradimin

Britanikja Harriet Bridgeman ishte pjesë e rëndësishme e grupit të survejimit në vrasjen e Ardian Nikulajt prillin e vitit të shkuar. I vetmi imazh i saj deri më sot është ai i fiksuar nga kamerat e sigurisë të hotel Coral nën pronësinë e viktimës.

Kjo foto është shkrepur vetëm pak minuta pasi gjykata e Londrës, vendosi që ajo bashkë me dy britanikë të tjerë dhe shqiptarin Edmond Haxhia, të ekstradohen në Shqipëri, vendim që avokatët e tyre do ta apelojnë.

Menjëherë pas vendimit Bridgeman tejet e tensionuar, ka zbritur shkallët e gjykatës për të ndezur një cigare e bërë një telefonatë. E ndërsa gjykatësi Daniel Sternberg, lexonte vendimin ajo ka shpërthyer në lot e më pas është përqafuar nga të afërmit.

Ajo do të vijojë të jetë e lirë me kusht deri në përfundim të apelimit.
Një natë përpara vrasjes, ajo bashkë me dy britanikë të tjerë, po darkonin në restorantin Coral dhe nxori kartën e kreditit për të paguar.

Por, karta nuk i punonte. Atë moment, Ardiani i thotë kamerierit se s’ka problem dhe se do t’ia paguante ai darkën.

Bridgeman u afrua dhe falenderoi Ardianin, i cili po darkonte me bashkëshorten pak metra më tej.

Po ashtu, ata kërkuan ndihmën e tij në thirrjen e një taksie për të shkuar e vizituar Lezhën, taksi e cila u pagua po prej Ardianit.

“Ai donte që turistët në hotelin tonë të ndjeheshim si mos më mirë”, shprehet një prej familjarëve të viktimës duke theksuar se trajtimin prej tij si miq, ata ia shpërblyen duke kontribuar në çuarjen informacion killerit Ruben Saraiva.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Shëngjin, Harriet Bridgeman ka tentuar të miqësohet e të futet në muhabet me Ardian Nikulajn.
Ajo është nënë e një fëmije të sëmurë, po ashtu vuan edhe vetë me sëmundje të shëndetit mendor. Sëmundjen e fëmijës dhe të sajën, avokatët i përdorën për të bllokuar ekstradimin. Sikurse për gjendjen e saj sollën në gjykatë edhe dy mjekë si ekspertë të pavarur.

Raportet dhe dëshmitë e tyre në gjykatë, nuk e bindën gjyqtarin Daniel Sternberg, i cili lejoi ekstradimin e saj drejt Shqipërisë.