zoom

Politikë

Fleta e votimit me emra/ Ndryshimet nga zgjedhjet e vitit 2017, PS e ankimon vendimin dhe kërkon fletë me numra

U deshën 3 ditë kohë për të miratuar  fletën e votimit që do të përdoret në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi suprizoi socialistët duke propozuar  të njëjtën fletë votimi që kërkonte Partia Demokratike, ku kandidatët  shënohen me emra. Pa u tharë mirë boja mazhoranca e ankimoi vendimin në KAS.

Për shkak të ndryshimeve si në ligjin zgjedhor  ashtu edhe në Kushtetutë, për  herë të parë në këto zgjedhje votuesit krahas partisë do të shprehin  preferencën e tyre edhe për kandidatët  Dukshëm fleta e votimit ndryshon nga ajo e zgjedhjeve të vitit  2017 si nga kompozimi ashtu edhe përmasat gjigante te saj.

Kjo është fleta e votimit në zgjedhjet e shkuara parlamentare, ku renditeshin vetëm 18 subjekte politike duke e bërë zgjedhjen e elektoratit  edhe më të thjeshtë.  Për shkak të situatës politike koalicionet ishin të pamundura, ndaj partitë e vogla ruajtën siglat e tyre në fletën e votimit. Votuesi kishte të drejtë të shënonte me kryq brenda kuadratit një parti politike dhe  me pas i drejtohej kutisë së votimit.

Në fletën e votimit që do të përdoret në  zgjedhjet e 25 prillit, renditen më pak parti politike, 12 gjithsej. Por, krahas subjekteve politike zgjedhësit  duhet të shprehin  preferencën edhe për 1 kandidat.  Përzgjedhja më e vështirë duket në qarkun e Tiranës,  me numrin më të madh të mandateve ku krahas 12 partive garon edhe një kandidat i pavarur, ndërkohë  në fletën e votimit renditen 433 kandidatë gjithsej.

Listat pjesërisht të hapura prodhuan një format të ri koalicionesh duke bërë që shumë parti të vogla  opozitare  të humbin siglat në fletën e tyre të votimit dhe përfaqësohen me logon e PD. Ndërkohë krahas emrave zgjedhësit duket se do e konfuzojnë edhe logot e njëjta.  Ku Partia Demokratike dhe Bindja e Astrit Patozit   kanë shumë ngjashmëri prej tyre.  Ky detaj ndryshoi  kompozimin e kandidatëve në momentet e fundit, nga vertikalisht ne horizontalisht që dy partitë opozitare të kishin hapësira me njëra tjetrën.