Aplikacion
Franca po përballet me një nga zjarret më shkatërruese në historinë e saj, teksa flakët kanë djegur më shumë se 16,000 hektarë tokë në jug të vendit.
Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll po vazhdojnë për të tretën ditë me radhë.

Sipas të dhënave zyrtare, një person ka humbur jetën, tre rezultojnë të zhdukur, dhe dy të tjerë, përfshirë një zjarrfikës, ndodhen në gjendje kritike.
Zjarri nisi të martën, në një zonë pyjore rreth 100 kilometra nga kufiri me Spanjën, afër Detit Mesdhe, dhe është përhapur me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta dhe temperaturat e larta.

Pamjet ajrore nga dronët tregojnë zona të tëra pyjore dhe bujqësore të djegura, ndërsa shumë shtëpi janë shkatërruar dhe banorët janë evakuuar.
Ministrja franceze e Mjedisit, Agnès Pannier-Runacher, konfirmoi se intensiteti i zjarrit ka filluar të bjerë, por theksoi se situata mbetet kritike.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik francez ka paralajmëruar për një valë të re të të nxehtit që pritet të përfshijë jugun e vendit duke filluar nga dita e premte, gjë që mund të përkeqësojë më tej situatën./ Zoom.al