zoom

Të gjitha

Fjolla Morina në paraburgim, bashkëshorti i saj reagon për herë të parë

Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi që Fjolla Morina të qëndrojë 40 ditë në paraburgim me dyshimin për trafikim me armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit. Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar. Ky vendim do të jetë në fuqi deri në një vendim të radhës, që mund të jetë ekstradimi në Shqipëri, duke qenë se këngëtarja është e kërkuar nga autoritetet shqiptare.

Pas këtij vendimi ka reaguar për herë të parë në rrjete sociale Fisnik Syla, bashkëshorti i këngëtares. Ky i fundit ka publikuar në Instagram, disa foto nga dita e dasmës me Fjollën, që u organizua në ishujt Maldives ndërkohë që këngëtarja ishte në kërkim nga policia. Fisniku shprehet se të dy bashkë do e kalojnë këtë sfidë dhe është i bindur se drejtësia do të fitojë.


“Përgjithmonë bashkë, çdo herë me ty dhe për ty shpirti im… do ta kalojmë këtë sfidë dhe do të na mbetet si një ëndërr e padëshiruar. Jam i bindur se drejtësia do të fitojë dhe pafajësia e jote do të vërtetohet. Të dua sot dhe përgjithmonë jeta ime”, shkruan Fisniku në postimin e tij.

Kujtojmë se Fjolla Morina u arrestua në 19 korrik në dyqanin e saj në Prishtinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.

Kjo vjen si pasojë e arrestimit të saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku ajo u kap me dy armë në makinë, teksa shoqërohej edhe nga bashkëshorti i saj, Fisnik Syla e një person i tretë.