zoom

Aktualitet

Favorizuan drogën dhe abuzuan me detyrën, Franca ekstradon ish-drejtorin e Kadastrës dhe policin

Ish-kreu i Kadastrës së Kurbinit Kastriot Piroli, u ekstradua sot nga Franca.

Policia njofton se Piroli, 52 vjeç, ishte dënuar me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Është ekstraduar gjithashtu edhe një tjetër shtetas, ish-oficer policie, nda j të cilit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet se me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar shtetas të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve.

“Si rezultat i bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese në Francë, ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë që janë kapur në Francë, pas informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre, me Interpol Lion, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Njëri nga këta shtetas është dënuar nga Gjykata e Kurbinit, me 5 vjet burgim, për shpërdorim detyre, ndërsa tjetri akuzohet nga Gjykata e Vlorës, për të njëjtën vepër penale”, thuhet në njoftim.

Ishin strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për shkëmbimin e informacioneve, me qëllim goditjen e vperimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, kanë shkëmbyer informacion me homologët francezë, për vendndodhjen e 2 të kërkuarëve.

Policia tha se: “Kastriot Piroli, 52 vjeç, banues në Kurbin, ish-drejtor i Zyrës së Kadastrës Kurbin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Lezhë kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila e ka dënuar këtë shtetas, me 5 vjet burgim, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu dhe I. J., 42 vjeç, banues në Vlorë, ish-punonjës policie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë ekzekutuan masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 13.12.2020, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Ky shtetas akuzohet se gjatë kohës që ka qenë SPZ në njësinë administrative Horë, bashkia Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar shtetas të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve. /ZOOM.AL/