zoom

Lajme

Fatura 22 mln euro për udhëtimet me Charter të Ramës, Bardhi kërkon informacione zyrtare

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk u ndal vetëm me kërkesën ndaj Kuvendit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës.

Po sot, ai i ka kërkuar institucioneve informacion mbi udhëtimet me charter të Kryeministrit Edi Rama dhe kostot e këtij shërbimi.

Në shkresën zyrtare Bardhi kërkon edhe kopje të marrëveshjes që Qeveria shqiptare ka nënshkruar me “Air Albania” shpk, nga e cila përfiton udhëtimet me charter Kryeministri Rama.

“Kërkojmë listën e plotë të udhëtimeve jashtë vendit të kryeministrit Edi Rama nga data 15 shtator 2013 deri në datën 1 mars 2024;

-Koston për secilin prej këtyre udhëtimeve dhe koston totale të udhëtimeve për periudhën e sipërcituar;

-Marrëveshjen e nënshkruar me shoqëria “Air Albania” sh.p.k., listën e plotë të udhëtimeve të kryera në kuadër të kësaj marrëveshjeje dhe kostot e tyre.

Sipas ligjit institucionet e kanë detyrim që të informojnë deputetët për të dhënat e kërkuara brenda 15 ditësh. Kujtojmë këtu që në media dhe nga opozita ka patur akuza se vetëm për 137 fluturime me charter, Kryeministri ka shpenzuar rreth 22 milion euro, edhe pse ai është mbrojtur duke argumentuar që avioni charter i është vënë në dispozicion për promovim nga kompania bazuar në një marrëveshje”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

“Zoom.al” e ka investiguar këtë çështje prej shumë kohësh me anë të informacioneve nga shumë burime dhe provave dokumentare. Madje ka kërkuar informacione edhe nga Drejtoria e Shërbimeve qeveritare, por kjo drejtori ka refuzuar vazhdimisht të bëjë transparencën.

Madje edhe hakerat iranianë “Homeland Justice” publikuan faturat dhe udhëtimet skandaloze të kryeministrit, me miliona euro fatura në buxhet.

Gjatë vitit 2022 ata publikuan se Rama ka hyrë dhe ka dalë plot 134 herë me avionin e tij charter në Rinas. Janë fluturime me avionin “Ismaili”, për të cilin qeveria nuk ka bërë asnjëherë transparencë se si u mor nga qeveria turke dhe sa shpenzon për 1 orë fluturim.

“Zoom.al” e ka ndjekur këtë çështje vazhdimisht, duke tentuar të hedhë dritë mbi shpenzimet e kryeministrit, veçanërisht në kohët e krizave që ka kaluar vendi me tërmetin, pandeminë dhe tani me çmimet e produkteve ushqimore, naftës dhe energjisë.

Ka udhëtuar 28 herë me charter (hyrje – dalje) në vitin 2022 dhe vetëm 3 fluturime linje,

Ka udhëtuar 66 herë me charter (hyrje – dalje) në vitin 2021 dhe asnjë fluturim linje,

Ka udhëtuar 40 herë me charter (hyrje – dalje) në vitin 2020 dhe vetë 5 fluturime linje.

Janë shpenzime marramandëse. Zoom.al i ka bërë përllogaritjet referuar ekspertizës së faqeve të ndryshme të internetit. Një avion si ai që përdor kryeministri, një Airbus A319-100 shpenzon rreth 15 mijë euro për çdo orë fluturim.

Zoom.al po hulmuton mbi të gjitha destinacionet në të cilat ka udhëtuar kryeministri, referuar të dhënave të sistemit TIMS të publikuar nga hakerat iranianë, për të përllogaritur shpenzimet që ka bërë kryeministri. /ZOOM.AL/