zoom

Ekonomi

Fasada e një investimi strategjik – Kush qëndron pas kazinosë 200 mln $ në Bulevardin e Ri?

Në një denoncim në Facebook, deputeti Agron Shehaj tregoi se një investim strategjik i ngjizur në procese tërësisht abuzive po merr jetë në kryeqytet.

Shehaj, që publikoi edhe disa dokumenta të këtij projekti, shkruante se qeveria Rama i ka falur 19 mijë m2 nje kompani të krijuar këtë shtator, “Adriatic Resorts SHA”, për ndërtimin e një hoteli me një kazino.

Projekti luksoz

Sipas të dhënave në Komitetin e Investimeve Strategjike projekti mban emrin “The Cliffs” dhe nuk do të jetë aspak një subjekt i zakontë.

Aty flitet për ndërtimin e një hoteli me pesë yje me përafërsisht 250 dhoma, 60 njësi të tjera akomodimi me shërbim luksoz, bare, restorante, njësi tregtare, kafene, hapësira për mbledhje dhe argëtim, SPA, pishinë dhe hapësira rekreative, kazino, si dhe vend parkim për mbi 600 makina.

Kosto e parashikuar është pothuajse 200 mln dollarë dhe do të ndërtohet në zonën e Bulevardit të ri (ish-Treni).

Kush qëndron pas “The Cliffs”

Aksionerë të Adriatic Resort sh.a janë dy persona, amerikani Steven Merrill Gallaway dhe shqiptari Ëngjëll Pasha. Por këta janë thjesht emrat që dalin në filialin shqiptar.

“Adriatic Resort sh.a“ është bijë e kompanisë mëmë “Adriatic Resorts LLC”, e regjistruar në Wymoing të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në krye të saj qëndron Dominic Polizzotto.

Projekti bëhet edhe më interesant kur dalin në skenë emrat e bordit drejues, ku është edhe i famshmi Jack Binion. Ai është i biri i Lester Ben Binion, gangsterit amerikan që themeloi Las Vegasin e sotëm dhe eksportoi aty kumarin. Ben bëri vite burg për vrasje dhe krime të tjera. Pas vdekjes dinastia kaloi në duart e fëmijëve të tij, ndër to Jack, si i vetmi djalë që nuk u vra.

Jack Binion, 86 vjeç ka një pasuri prej 500 mln dollarësh dhe vazhdon të jetë pronar i disa kazinove dhe restoranteve në Amerikë.

Askush nuk mund të thotë nëse manjati është me të vërtetë i interesuar për të investuar në Shqipëri, a po është skema e radhës, ku qeveria prezanton investimet strategjike nën emrin e një biznesmeni të huaj, për ta kaluar atë më pas tek një biznesmen vendas.

Të njëjtin shqetësim ngriti edhe deputetja Jorida Tabaku kur po prezantohej projektligji i lojërave të fatit. Ajo tha në komisionin e Ekonomisë se kriteri për t’i dhënë licencën e llotove vetëm kompanive të huaja është një taktikë për t’i reklamuar ato si biznese të jashtme e më pas tu dorëzohen shqiptarëe. Sikur të mos mjaftonte, ministria e Financave ndryshoi një pjesë të ligjit duke theksuar se duhet një aksioner i huaj, por nuk ka rëndësi se sa aksione ka ai.

Të premten e 5 janarit, ministri i Financave Ervin Mete njoftoi se qeveria po shqyrton mundësinë e shtyrjes së afatit për investimet strategjike, që mbaroi më 31 dhjetor 2023. Në rast miratimi, do të jetë hera e tretë që qeveria zgjat këtë afat./Zoom.al