zoom

Aktualitet

Familjarët e dy të zhdukurve nga Saranda protestë në Tiranë te Policia e Shtetit: Të gjenden trupat

Familjarë të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit, të zhdukur prej 27 ditësh në Sarandë, kanë protestuar këtë të martë para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, ku kërkojnë të dinë më shumë për fatin e të afërmve të tyre.

Ata mbanin në duar foto të Theodhorit dhe Sulovarit, ku shkruhen “të zhdukur” dhe tre prej tyre takuan në zyrë kryepolicin Muhamet Rrumbullaku.

Në përfundim të takimit, vëllai i Fatmir Sulovarit, Gëzimi, tha se kërkojnë të gjenden trupat e tyre nëse ata janë ekzekutuar.

Ai shtoi për mediat se morën garanci nga policia që do të vijojnë kërkimet dhe tregon se nuk ka asnjë konflikt me askënd.

“Na thanë do vazhdojmë kërkimet, jam vëllai i madh i Fatmirit. Në datën 6 prill ka qenë kontakti i fundit, nuk kemi vërejtur asnjë shqetësim, nuk kemi pasur asnjë problem, kemi pasur shumë probleme të vogla po jo deri në këtë pikë”, tha ai.

Ai ka ka treguar edhe për lidhjen që vëllai i tij, Fatmiri ka pasur me të zhdukurin tjetër, Leonard Thodhori.

“Leonardin e ka pasur të njohur, nuk ka pasur një lidhje të ngushtë. Unë si Gëzim nuk e kam dëgjuar”, shtoi vëllai i një prej të zhdukurve.

Në fund, ai thekson se nuk ka asnjë dyshim mbi askënd, e ndërsa shton se për kërkimet personale që kanë bërë në disa vende në Sarandë, kanë qenë mbi bazën e “fjalëve të njerëzve”.

“Nuk e kam idenë e konflikteve të tokës. Shkuam në Vrinjë se dëgjuam llafet e njerëzve, dëgjuam llafe njerëzisht jo se kemi një gjë të saktë”, përfundoi ai.

Në lidhje me ngjarjen, ka reaguar edhe Prokuroria e Sarandës, e cila thotë se konstaton me shqetësim se informacionet e fundit në media, nuk i shërbejnë zbulimit të së vërtetës, madje as nuk ndihmojnë organet ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt të saj.

“Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfindecialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cënon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik, por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore”, – thuhet në njoftim.

Dy 46-vjeçarët, dyshohet që të jenë rrëmbyer dhe vrarë në Sarandë, por policia nuk ka arritur ende të zbardhë ngjarjen.

Policia thotë se po vijon hetimet për këtë ngjarje. Deri më tani është ndaluar një 28-vjeçar i quajtur Sofokli Baxheri, pasi uniformat blu dyshojnë se ai është person që ka dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë nuk kanë munguar as kontrollet në Xarrë, Vrinë dhe Shëndelli të Sarandës, por nuk ka asgjë konkrete.

Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.