zoom

Aktualitet

Falimentoi prej humbjeve/ Tek Ujësjellësi i Durrësit punonte edhe Zaimina Vasjari si specialiste

Një ditë më parë u njoftua falimentimi i Ujësjellësit të Durrësit, i cili prej keqadministrimit të fondeve regjistroi një humbje prej 10 milionë eurosh në vitin 2022, 160 milionë euro detyrime të papaguara dhe kapital negativ.

Pjesë e stafit të Ujësjellësit të Durrësit ishte edhe këngëtarja Zaimina Vasjari. Asokohe, bërja publike e lajmit u shoqërua me reagim jo të paktë publik, ku qytetarët shpreheshin se si punësimi i këngëtares si specialiste tregonte mungesë serioziteti dhe abuzim.

Nga 10 qershori i vitit 2021, Zaimina u punësua si specialiste uji pranë Drejtorisë Ujësjellës Kanalizime Durrës, në degën e Shijakut dhe kategoria e pagës ishte “Punonjëse e kategorisë së Parë”.

Vendimi kishte firmën e drejtorit të Ujësjellësit Spartak Kovaçi.

Sot, ku me fakte deklarohet se mungesa e një administrimi të duhur ishte arsyeja e falimentit, tregon se lajmi i punësimit të një artisteje si specialiste ujësjellësi nuk duhej të ishte dikur vetëm një lajm periferik showbiz-i, por tregues i situatës dhe asaj çfarë po ndodhte./ Zoom.al