Aplikacion
Parashikimet e Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se deri në vitin 2030, PBB-ja për frymë në Evropë pritet të rritet ndjeshëm në terma nominalë (euro). Megjithatë, kjo rritje nuk përkthehet domosdoshmërisht në ndryshime të mëdha në renditjen e vendeve për sa i përket fuqisë reale blerëse.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë mbetet një nga treguesit kryesorë për krahasimin e ekonomive, dhe në pjesën më të madhe të kontinentit pritet një trajektore në rritje. Por fakti që të gjitha ekonomitë rriten paralelisht do të thotë se pozicionet relative ndryshojnë pak.
Sipas analizës së bërë nga Euronews Business mbi të dhënat e Perspektivës Ekonomike Botërore të FMN-së për vitet 2025 dhe 2030, janë marrë në shqyrtim si PBB-ja nominale për frymë ashtu edhe ajo sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP), që merr parasysh diferencat e çmimeve mes vendeve.
Në renditjen sipas PPP-së, Irlanda pritet të kryesojë deri në vitin 2030, duke lënë pas Luksemburgu, që aktualisht mban vendin e parë. Megjithatë, kjo shifër vjen me rezerva, pasi ekonomia irlandeze ndikohet ndjeshëm nga prania e korporatave shumëkombëshe. Sipas ekonomistit Alan Barrett, një tregues më realist për ekonominë e vendit është të ardhura kombëtare bruto (GNI), ku Irlanda nuk renditet në krye.
Pas tyre, në pesëshen e parë pritet të jenë Norvegjia, Zvicra dhe Danimarka, të cilat ruajnë pozicionet e tyre të qëndrueshme.
Ndër ekonomitë më të mëdha evropiane, Gjermania renditet më lart (e 12-ta), e ndjekur nga Franca (e 15-ta) dhe Mbretëria e Bashkuar (e 16-ta). Italia dhe Spanja mbeten më poshtë në renditje.
Në fund të tabelës dominojnë vendet kandidate për në BE, si Ukraina, Kosova dhe Moldavia. Një përjashtim është Turqia, e cila pritet të renditet më lart se disa vende anëtare të BE-së si Bullgaria, Letonia dhe Greqia.
Në përgjithësi, lëvizjet në renditje janë minimale. Greqia pritet të shënojë rënien më të madhe, ndërsa Qiproja regjistron ngritjen më të dukshme. Shumica e vendeve mbajnë pozicionet ekzistuese.
Diferencat midis renditjes nominale dhe asaj sipas PPP-së tregojnë gjithashtu një realitet tjetër ekonomik. Vende si Malta, Rumania, Polonia dhe Turqia kanë fuqi blerëse më të lartë sesa sugjerojnë shifrat nominale, ndërsa Estonia, Mbretëria e Bashkuar, Islanda dhe Letonia renditen më poshtë në PPP.
Në krye të listës, diferencat mbeten shumë të mëdha: Irlanda dhe Luksemburgu parashikohet të kenë mbi 160 mijë euro PBB për frymë, ndërsa Norvegjia dhe Zvicra pritet të kalojnë 100 mijë euro.
Brenda BE-së, hendeku mbetet i thellë. Danimarka kryeson mes vendeve të tjera, ndërsa Greqia mbetet në fund me diferenca të konsiderueshme.
Jashtë BE-së, situata është më sfiduese: shumica e vendeve kandidate pritet të mbeten nën nivelin e 50 mijë dollarëve për frymë, duke reflektuar një distancë të vazhdueshme ekonomike nga vendet anëtare të unionit.