zoom

Aktualitet

EUROPOL nis gjuetinë e mashtruesve të “Call Center”. Shqipëria, bazë e mashtrimit

Me kërkesë të autoriteteve spanjolle, gjermane dhe finlandeze, Eurojust dhe Europol kanë mbështetur një veprim kundër një mashtrimi masiv investimi që përfshin mashtrimin me “Call Center” dhe përdorimin e kriptomonedhave.

Viktimat e këtij mashtrimi të madh në internet vlerësohet të jenë në qindra mijëra qytetarë europianë. Gjatë operacioneve të 8 dhe 9 nëntorit në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë, u kontrolluan 15 qendra telefonike dhe u arrestuan 5 të dyshuar.

Të dyshuarit dyshohet se i përkasin një grupi të krimit të organizuar që besohet të jetë i përfshirë në një mashtrim investimi duke përdorur kriptovaluta.

Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike në disa vende dhe qindra platforma online për të kryer mashtrimin.

Të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës që do të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash përmes investimeve të vogla. Në realitet, ky grup i krimit të orgnaizuar i mashtroi viktimat duke fituar besimin e tyre në internet, si dhe përmes qendrave të thirrjeve të ngritura në mënyrë profesionale ose mënyrave të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale.

Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit të kontrolluara nga organizata kriminale, gjë që rezultoi në humbjen e shumave të mëdha parash.

Kriptomonedhat

Shkalla e hetimeve në raste të tilla është deri tani e paprecedentë. Siç zbulohet nga hetimet, qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktimë e mashtrimit, që daton të paktën në vitin 2016. Dëmi i shkaktuar llogaritet në 50 milionë euro në tremujor. Hetimet për mashtrimin kibernetik filluan në vitin 2018, me shtatë vende që kanë hapur çështje gjyqësore kundër grupit të krimit të organizuar.

Eurojust lehtësoi bashkëpunimin gjyqësor në këtë rast duke krijuar dhe financuar një ekip të përbashkët hetimor (EPH), i ngritur me kërkesë të autoriteteve suedeze dhe duke përfshirë gjithashtu Shqipërinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Letoninë, Spanjën dhe Ukrainën. Gjithsej 13 takime koordinuese u organizuan për të koordinuar hetimet kombëtare dhe për t’u përgatitur për ditën e veprimit. Agjencia lehtësoi gjithashtu ekzekutimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare, urdhrave të hetimit evropian dhe letrave të kërkesës drejtuar vendeve të treta.

Europoli ofroi mbështetje analitike për hetimet dhe organizoi shtatë takime operacionale. Për të mbështetur ditën e veprimit më 8 dhe 9 nëntor 2022, Eurojust ngriti një qendër koordinimi për të mundësuar bashkëpunimin e shpejtë midis autoriteteve gjyqësore të përfshira.

Si rezultat, u kontrolluan 15 qendra telefonike (6 në Shqipëri, 5 në Gjeorgji, 3 në Ukrainë dhe 1 në Maqedoninë e Veriut), si dhe 27 vendndodhje të tjera dhe 5 automjete. Janë arrestuar 5 të dyshuar, 4 në Shqipëri dhe 1 në Gjeorgji. Janë zhvilluar përafërsisht 50 seanca (të dyshuar dhe dëshmitarë). Konfiskimet përfshijnë mbi 500 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë, USB, hard disk), më shumë se 340 000 euro në para të gatshme, disa telefona celularë, disa llogari bankare, kuleta kriptomonedhash, prona, dokumente identiteti dhe karta bankare dhe qindra dokumente të tjera. Investitorët e mundshëm këshillohen të jenë tepër vigjilentë kur investojnë në internet dhe të kontrollojnë nëse faqet e internetit i përkasin ndërmarrjeve që veprojnë në mënyrë legjitime.

Mashtruesit me “Call Center” janë përhapur shumë në Shqipëri. Përveç mashtrimit të mijëra qytetarëve europianë, mashtruesit po kriminalizojnë edhe rininë shqiptare, duke i punësuar në këtë aktivitet kriminal përmes pagave të larta. /Zoom.al