zoom

Lajme

Endri gjen një punë, me 9 mijë euro në muaj

Endri gjen një punë, me 9 mijë euro në muaj

Endri Shabani gjeti punë. Ai u betua sot në Kuvend, në mes të një seance kaotike. Mori votat e mazhorancës. Shkoi deri në votim me firmat e opozitës. Opozita u pendua rrugës. I tërhoqi firmat. Tha se nuk e donte. Mazhoranca tha se do të votonte një nga kandidatët e opozitës. Pastaj votoi atë që i leverdiste.

Endri nuk u tërhoq. As kur opozita i hoqi firmat. As kur u tha publikisht se nuk e donin më. Ai thjesht pranoi punën. Dhe puna nuk është çfarëdo. Është Avokat i Popullit.

Endri Shabani ka qenë kritik me të gjithë. Me PS-në dhe PD-në. Me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Ka me qindra statuse, deklarata dhe intervista ku i akuzon të dy palët për hipokrizi, kapje të shtetit, pazare politike dhe shkatërrim të besimit publik. I ka quajtur njësoj. I ka vendosur në të njëjtën peshore.

Por sot pranoi pazaret e PS dhe PD që i dhanë një punë, me privilegje e page të mire. Sot kur rehatia u gjet, morali ra. Dhe jo keq. Avokati i Popullit paguhet sa Kryetari i Gjykatës së Lartë. Rreth 9 mijë euro në muaj bruto. Një nga pagat më të larta në shtet.

Endri është i lumtur. Ka një zyrë. Ka imunitet. Ka pagë të mirë. Ka një mandat të sigurt. Kritikat mund të presin. Parimet gjithashtu. Edhe partia e tij opozitare mund të presë.

Në fund, ai tregoi se është politikani tipik i xhepit. Pa hallin e tij. Të tjerët, ata të partisë, panë si i la në baltë. Për rrogën. /Zoom.al

Postime të lidhura