Aplikacion
Kjo është mbrojtja e radhës që kryeministri Edi Rama bën përballë akuzave të opozitës se ka shpenzuar 20 milionë euro me avionin charter “Ismail” dhe kërkesave të vazhdueshme të mediave të pavarura për të bërë transprencën e udhëtimeve të tij.
Por më shumë se mbrojtje, ky është një tjetër telash që kryeministri duket se po i hap vetes.
Nëse ai i ka marrë fluturime me klering nga kompania “Air Albania” do të duhet të japë një sërë shpjegimesh. A ka ai apo qeveria një kontratë me “Air Albania” për t’i bërë promocione? Nëse ka, në ç’mënyrë e kanë promovuar qeveria dhe kryeministri një kompani private? A i lejohet një kryeministri të marrë pagesa për promocione të kompanive private?
Ku është dëgjuar ndonjëherë që kryeministri qënka i punësuar edhe privatisht nëpërmjet kompanive të marketingut, përderisa ai është zgjedhur për të ushtruar një detyrë specifike në majë të ekzekutivit?
Nëse kryeministri e promovon një kompani privatisht, ai më së shumti mund t’i pranojë asaj si dhuratë ndonjë biletë avioni, po jo një avion të tërë vetëm për vete. Dhë nëse i pranon bileta, ato nuk duhet t’i shpenzojë për vete, sepse udhëtimet e tij mbulohen nga fondi i kryeministrisë, por mund t’i përdorë për qytetarë në nevojë. Për shembull, mund t’ua japë të sëmurëve që kanë nevojë të kurohen jashtë vendit, apo prindërve që nuk kanë mundësi financiare të shohin fëmijët e tyre.
Në ç’rast ka vepruar në këtë mënyrë ai? Në asnjë!
Justifikimi i radhës është ashiqare një përpjekje e dëshpëruar e dikujt që është kapur me presh në duar dhe nuk ka rrugëdalje.
Sepse, të deklarosh që të kanë dhënë një avion që ta përdorësh për të udhëtuar vetë rehat në këmbim të promocionit, kjo është një gafë e madhe, epike. Aq më tepër që “Air Albania” është një kompani që ka vetëm 4 avionë, çka do të thotë se i vë në dispozicion kryeministrit Rama 25% të kompanisë.
Është njësoj sikur t’i bëjë promocion aeroportit të Tiranës dhe “Kastrati Group” t’i japë 25 % të aksioneve të aeroportit, apo kullave shumëkatëshe nëpër Tiranë dhe secili ndërtues t’i japë 25 përqind të kateve.
Kryeministri do të duhet të shpjegojë tani se në ç’bazë ka vepruar për promocionin, sepse për marketingun ka rregulla të caktuara.
Nëse akuzon median dhe opozitën për shpifje, ai thjesht duhet të japë sqarime, të bëjë transparencën që i takon si kryeministër i vendit.
Ai duhet të tregojë kontratën që ka për promocionin me kompaninë “Air Albania”, të detajuar, sikundër edhe shpenzimet që ka bërë me 137 fluturimet charter vetëm nga Rinasi me avionin “Ismail”.
Përndryshe, do të detyrohet ta bëjë atë para Komisionit Hetimor Parlamentar.
Mediat po i kërkojnë transparencë, ndërsa opinion publik kërkon të dijë të vërtetën, të cilën ai s’mund ta tregojë me fjalë, por me dokumente zyrtare, kontratat që ka nënshkruar, faturat që ka shpenzuar. /Zoom.al
Trump emëron këshilltarin e vjetër Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë