zoom

In Zoom

Edi Rama: Po iki! Më falni, nuk ua solla dot ujin e pijshëm, nuk e meritoj! (VIDEO)

Premtimi i Edi Ramës për furnizim me ujë të pijshëm të të gjithë vendit për 24 orë gjatë mandatit të tretë ka dhënë efekt të kundërt nga ajo që i kanë sugjeruar atij mentorët e fushatës elektorale.

Duke tentuar të prekë një temë të ndjeshme dhe ta shndërrojë në një betejë për vota, Edi Rama ka hapur një plagë të vjetër dhe i ka bërë qytetarët të mendojnë seriozisht.

Shumë prej tyre kanë sjellë në vëmendje se çfarë thoshte Edi Rama në vitin 2013 kur ishte në opozitë për Sali Berishën. U tregonte qytetarëve se çfarë do të kishte bërë ai po të ishte në vend të Berishës nëse nuk do t’ua kishte siguruar ujin e pijshëm brenda 8 vjetesh.

Edi Rama, 2013: “Unë nuk kam fol shumë për ujin e pijshëm. E dini pse nuk kam fol? Se m’vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet, sa herë ka fushatë, do t’ju japim ujë për të pirë. Mbas 20 vjetësh prapë ujë s’ka. 8 vjet në pushtet! Të isha në vendin e tij, do kisha ik’, do kisha thënë m’falni, nuk arrita dot, bëra sa munda, por meqë nuk ju solla dot ujin, unë nuk e meritoj.” (shihni videon më poshtë në Zoom.al)

8 vjet me Edi Ramën në pushtet dhe Shqipëria është po njësoj si ajo e Berishës përsa i përket ujit të pijshëm. Tirana, Durrës, Vlora, Elbasani, Korça, Shkodra, Saranda, Lezha, Fieri, Berati, Dibra, Kukësi, Pogradeci etj, jo vetëm që nuk kanë ujë të pijshëm 24 orë, por nuk furnizohen as disa orë në ditë.

Nëse do t’u qëndronte fjalëve që thoshtë për Berishën në vitin 2013, Edi Rama sot do të duhej të largohej e të kërkonte edhe ndjesë.

Por pas 8 vjetësh, lexojeni se çfarë thotë.

Edi Rama, 2021: “Mandatin e tretë qeverisës ne do të garantojmë më në fund 100 % ujë të pijshëm, në zonat urbane, në të 61 bashkitë e vendit. Uji i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh.”

Pikërisht kjo deklaratë e kryeministrit i ka bërë qytetarët të sjellin në kujtesë premtimet e tij kur u kërkonte votën për një çështje që e vuajnë përditë dhe që nuk ka gjetur zgjidhje në 30 vjet, 5 vjet qeverinë e PD pas komunizmit, 8 vjet me qeverinë e PS pas vitit ’97, 8 vjet me qeverinë Berisha dhe Berisha – Meta dhe 8 vjet të tjera me qeverinë Rama dhe Rama – Meta. Dhe duke krahasuar atë çfarë premtonte 8 vjet më parë dhe atë çfarë premton tani, më shumë gjasë ka që përmendja e këtij problemi t’i sjëllë Edi Ramës vota kundër, sesa pro.  ©Zoom.al