zoom

Bota

E vranë dhe e dogjën brenda në makinë, pamjet e mjetit të biznesmenit grek në flakë pas ekzekutimit

Persona të paidentifikuar i kishin bërë pritë biznesmenit grek Christos Gialias vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij në Mandra.

Pasi e qëlluan me breshëri kallashnikovi, autorët i vendosën flakën automjetit duke e djegur brenda. Mediat greke kanë publikuar foto të automjetit të viktimës në flakë pak pas ekzekutimit të tij mbrëmjen e së mërkurës.

Policia greke ka nisur hetimet për kapjen e autorëve që u larguan me motor. Automjeti është gjetur në rrugën “Agia Aikaterini” dhe zjarrfikësit kanë shuar flakët në makinë.

Pranë mjetit të djegur u gjetën 15 gëzhoja, ndërsa brenda tij u gjet një kallashnikov, që dyshohet se është arma e krimit që kanë përdorur autorët, të cilët e kanë hedhur në makinën e viktimës pasi e ekzekutuan.

Policia ka marrë informacione për një makinë të dytë të djegur që po ashtu dyshohet se është e autorëve. Si edhe një motoçikletë me të cilën dyshohet se janë arratisur ekzekutorët nga vendi i krimit.

Viktima ishte pronar i kompanive të tregtimit të mishit ku kishte punësuar qindra punonjës. Në të njëjtën kohë, ai ishte pronar dhe agjent i tre ekipeve të futbollit, përkatësisht AO Trikala, Paneleussiniakou dhe Mandraikos.