zoom

Aktualitet

E PLOTË/ Shpërthimi i fuqishëm në Lushnjë, si paraqitet situata. 1 viktimë dhe 8 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në qytetin e Lushnjës gjatë pasdites së sotme, ku 1 qytetar humbi jetën dhe 8 të tjerë janë të plagosur rëndë.

Versioni final i ngjarjes është ai i Policisë, që tregon se shkaku i shpërthimit ishte kontakti i një vinçi me telat e shtyllës së tensionit të lartë, sipër kapanonit të një kompanie ndërtimi, në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela.

Dyshohet se telat e tensionit të lartë kanë rënë mbi një depozitë me gaz ose oksigjen, çka ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm, që solli edhe dëme të mëdha materiale në kapanon dhe në bizneset përreth.

Vinçi mësohet se ka prekur telat e energjisë teksa po punonte për ndërtimin e kapanonit.

Viktima është identifikuar si Landi Veçani. Dyshohet se mes 8 të plagosurve është edhe djali i tij.

Ndër të lënduarve është edhe deputeti socialist Bujar Çela, i cili fillimisht u dërgua në spitalin e Lushnjës bashkë me të plagosurit e tjerë.

Pas disa orësh në këtë spita, ai dhe disa nga të plagosurit u transportuan për në spitalin e Traumës në Tiranë.

Të plagosurit kanë djegie trupore, të shkaktuara nga shpërthimi i lëndës që gjendej në depozitë.

Banorët e zonës tregojnë se nuk kishin dëgjuar kurrë një shpërthim të tillë. Një krater i madh është hapur në vendin ku ndodhej bombula, me një diametër prej më shumë se 10 metrash.

Ngjarja është klasifikuar si aksidentale, por policia po heton edhe pista të tjera. /Zoom.al