Aplikacion
Një episod i pazakontë, që ka ngjallur kuriozitet dhe debat në qarqet politike amerikane, ka ndodhur së fundmi brenda Shtëpisë së Bardhë dhe ka në qendër Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Sipas një artikulli të publikuar nga New York Times, Trump ka vendosur të ndërhyjë personalisht në paraqitjen e jashtme të disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, duke gjykuar se këpucët që ata mbanin nuk përputheshin me standardet që, sipas tij, kërkon pozicioni i tyre shtetëror.
Presidenti porositi disa palë këpucë formale të tipit “Oxford”, modeli i tij i preferuar, për Zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Dhurata mbërriti javën e kaluar dhe të dy zyrtarët u shfaqën në ambientet e Shtëpisë së Bardhë duke i veshur këpucët e reja.
Megjithatë, detaji që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se këpucët rezultuan dukshëm më të mëdha se masa e këmbëve të tyre. Vance dhe Rubio ia treguan këpucët edhe gazetarëve, duke sqaruar se bëhej fjalë për një dhuratë personale nga Presidenti.
Në një moment që më shumë i ngjante një bisede informale sesa një takimi zyrtar, J.D. Vance, 41 vjeç, ngriti këmbën për t’ia treguar Trump këpucët, ndërsa Presidenti, sipas raportimit, iu drejtua atij dhe Rubios me shprehjen “fëmijë”.
Burimet bëjnë me dije se Trump nuk u kufizua me nga një palë për secilin, por u dhuroi nga katër palë këpucë të zeza, një gjest që shumë e kanë interpretuar si simbolikë e stilit të tij drejtues dhe dëshirës për kontroll edhe në detaje të vogla.
Vance ka treguar më herët se Trump kishte ndërprerë një takim që ai e konsideronte “shumë të rëndësishëm”, vetëm për të komentuar mbi këpucët që po mbanin veshur. “Ndalo,” kishte thënë Presidenti, “ka diçka shumë më të rëndësishme, këpucët.”
Gjatë së njëjtës bisedë, Trump kishte pyetur për numrat e këpucëve. Rubio kishte deklaruar se mban numrin 11.5, ndërsa Vance numrin 13. Kur një zyrtar tjetër kishte përmendur numrin 7, Trump kishte reaguar duke thënë se “mund të kuptosh shumë për një burrë nga madhësia e këpucëve të tij”./ Zoom.al