zoom

Lajme

E ardhmja e Muçit në pikëpyetje, afati për vendimin deri më 10 maj

E ardhmja e Muçit në pikëpyetje, afati për vendimin deri më 10 maj

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare Ernest Muçi u transferua këtë sezon te Trabzonspor në formë huazimi nga Beşiktaş, me një opsion blerjeje prej 8.5 milionë eurosh. Megjithatë, klubi turk ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për aktivizimin e këtij opsioni.

Sipas marrëveshjes, Trabzonspor ka afat deri më 10 maj për të blerë kartonin e lojtarit, duke paguar shumën e përcaktuar në kontratë. Deri më tani, sinjalet tregojnë për hezitim nga ana e klubit.

Pikërisht këtë situatë e ka komentuar edhe presidenti i Beşiktaş, Serdal Adalı, i cili shpreson që marrëveshja të mos finalizohet, në mënyrë që Muçi të rikthehet në Stamboll.

“Disa nga lojtarët që kemi dhënë në huazim mund të largohen. Opsioni për Ernest Muçin skadon më 10 maj dhe shpresoj që të mos aktivizohet. Është shumë e vështirë të paguhet një shumë e tillë. Nuk kemi diskutuar për ulje çmimi,” është shprehur Adalı për mediat turke.

Ndërkohë, Muçi ka pasur një sezon të suksesshëm me Trabzonspor, duke realizuar 13 gola dhe duke dhënë 3 asistime, çka e ka kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.