zoom

Kosova

Dyshimi/ Kush i ndihmoi Radoiçiçin dhe terroristët e tjerë serbë të arratiseshin nga Banjska?

Më 24 shtator 2023, Banjska u bë qendra e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës, që tronditi komunitetin lokal dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.

Në këtë ngjarje tragjike, e cila përfshiu përleshje të armatosura midis forcave të sigurisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur të paidentifikuar, humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe tre prej sulmuesve serb.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi të armatosur. Pasojat e këtij sulmi po vazhdojnë edhe sot, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë akt të rëndë. Së fundmi lidhur me këtë ngjarje International Crisis Group ka dalë me një draft-raport, ku theksohet se KFOR ka negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, i cili u citua në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s të mbajtur dy ditë më parë, raporton tg.

E ndaj të gjeturave të këtij raporti ka reaguar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë. “Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë.

“Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

KFOR-i thotë se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Kujtojmë se organizata ndërkombëtare policore INTERPOL tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë. /ZOOM.AL/