zoom

Aktualitet

Droga e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, pezullohen nga detyra 7 efektivë policie

Droga e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, pezullohen nga detyra 7 efektivë policie

Në Komisariatin e Peqinit janë marrë masa disiplinore ndaj shtatë efektivëve të policisë, pas zbulimit të një sasie të madhe kanabisi në një ambient që rezulton i lidhur me ish-drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Sipas informacioneve zyrtare, depoja ku u gjet lënda narkotike ka ngritur dyshime për një rrjet të mundshëm të kultivimit dhe shpërndarjes së kanabisit, ndërsa hetimet po fokusohen edhe te mënyra se si kjo situatë ka kaluar pa u evidentuar më herët nga strukturat e rendit.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, janë pezulluar nga detyra disa drejtues dhe punonjës policie që kanë shërbyer në Komisariatin e Peqinit, mes tyre shefa komisariati, specialistë të krimeve dhe efektivë të policisë kriminale. Disa prej tyre aktualisht mbajnë detyra edhe në komisariate të tjera, pasi janë transferuar më herët.

Autoritetet po verifikojnë përgjegjësitë individuale të secilit efektiv dhe nëse ka pasur neglizhencë apo përfshirje të drejtpërdrejtë në lejimin e aktivitetit të paligjshëm.

Paralelisht me këtë rast, vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e drogës, mënyrën e funksionimit të rrjetit dhe lidhjet e mundshme me persona të tjerë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Ish-drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, u vetëparaqit në polici pas zbulimit të rastit për të dhënë sqarime të plota lidhur me ngjarjen, pasi emri i tij u përfshi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit si pronar i objektit ku u zbulua lënda narkotike.

Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë.

Ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.

Të pezulluarit:

Komisar Altin Gusho-me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;

Nënkomisar Bilbil Lita-ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;

Komisar Danjel Kaçaniku-me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Komisar Denis Sinani-ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;

Nënkomisar Sefer Dushku-me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Inspektor Muharrem Zylyfi-me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Inspektor Arben Koseni-ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.