zoom

Aktualitet

Dosja SKY ECC/ Si e ndihmoi prokurori Zarka të kërkuarin Suel Çela, për sekuestrimin e pasurive

Zbardhen detaje të tjera nga dosja e bujshme e SKY ECC për fashikullin “Toyota Yaris” dhe arrestimin e kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka si dhe marrjen nën akuzë të ish-oficeres së Krimeve të Rënda, avokatit dhe një klienti të këtij të fundit, për ndërhyrjet në drejtësi dhe aferat korruptive.

Rezulton sipas përgjimeve në platformën e koduar se magjistrati i lartë ka marrë vendime lehtësuese edhe për dosjen e pasurisë së biznesmenit nga Elbasani, Suel Çela, me dy identitete edhe si Marjus Lulaj, njëkohësisht drejtues i një prej klaneve kriminale më të fuqishme. Bëhet fjalë për dosjen e sekuestrimit të pasurisë, ku Zarka akuzohet se ka ndihmuar të kërkuarin, pronar i Tregut Ushqimor Elbasan.

Me urdhër të SPAK, një ditë më parë u arrestua kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar disa akuza. Ai akuzohet për veprat penale si “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “trafikimi i narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319, 319/ç, 295/a paragrafi (3) dhe 283/a të Kodit Penal.

Sipas SPAK, Zarka ka ndërhyrë në çështjen e “Toyota Yaris” duke tentuar të lehtësojë akuzat ndaj tre personave të përfshirë Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri. 3.4 milionë euro u gjetën dhe u sekuestruan në portin e Durrësit më 24 qershor të vitit 2018 brenda automjetit “Toyota Yaris”.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme bën të ditur se kreu i organit të akuzës në Vlorë kishte ndërhyrë edhe në hetimin pasuror që po zhvillohej nga Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga SPAK pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

“Procedimi pasuror nr.24, datë 19.02.2020, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj”, thuhet në njoftimin e SPAK. /ZOOM.AL/