Aflred Peza u largua nga drejtimi i Radio Televizionit Publik Shqiptar 14 muaj pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm.
Ai u akuzua gjatë kësaj kohe për largime të paligjshme të punonjësve, ndërsa opozita vazhdimisht e ka konsideruar të paligjshme edhe vendojen e tij në këtë detyrë, për shkak se ligji nuk lejon kandidimin e atyre që kanë qenë deputetë në dy legjislaturat e fundit.
Tani për zgjedhjen e pasuesit të tij Këshilli Drejtues i RTSH duhet të marrë vendim për të hapur procedurën.
Ligji përcakton se faza e aplikimit do të jetë e hapur 10 ditë nga dita e mbledhjes së KD që hapë zyrtarisht garën.
Por cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për të qenë drejtor të përgjithshëm të RTSH -së?
- Nuk lejohen të kandidojnë ata që kanë qenë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit;
- ata që janë anëtarë partish politike apo organizatash politike;
- ata që janë zgjedhur në pushtetin vendor.
Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë KD të RTSH dokumentet dhe platformën e tyre. Më pas Këshilli Drejtues do të mblidhet për të përzgjedhur kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore.
Procedura parashikon seanca dëgjimore me çdo kandidat për Drejtor të Përgjithshëm. Zgjedhja e Drejtorit të ri bëhet me votim të fshehtë nga 10 anëtarët e Këshillit Drejtues. /Zoom.al