zoom

Bota

“Djaloshi në Kuti”! Vrasja makabër që ende sot mbetet mister

“Djaloshi në Kuti”! Vrasja makabër që ende sot mbetet mister

Misteri rrëqethës i “Djaloshit në Kuti”, i cili u gjet i vrarë brenda një kutie kartoni, ka mbajtur pezull hetuesit përgjatë 60 viteve të fundit. Ai njihet si “Fëmija i panjohur i Amerikës”, pasi pavarësisht një hetimi masiv, askush nuk ka mundur të kuptojë se kush është djali i vogël apo se kush e vrau.

Në një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1957, një gjahtar hasi një kuti kartoni që përmbante eshtrat e djalit të zhveshur. Fëmija i moshës 3-7 vjeçare ishte i kequshqyer, me rroba të ndotura dhe i mbuluar me plagë.

Pavarësisht shpërndarjes së 40,000 fletushkave dhe vëmendjes së madhe të medias – askush nuk doli për ta kërkuar atë. Hetimet pas vdekjes zbuluan se djali ishte nën peshë, ndërsa lëkura e tij ishte e mbuluar me plagë, duke përfshirë prerje kirurgjikale dhe mavijosje të freskëta.

Flokët e tij ishin prerë gjithashtu, në atë që policia mendon se ishte një përpjekje për të fshehur identitetin e tij. Thonjtë po ashtu.

Djali dyshohet se është rrahur për vdekje. Gjuetari që fillimisht zbuloi trupin nuk ia raportoi eshtrat policëve, nga frika e përfshirjes në telashe. Por vetëm më 25 shkurt, një student 27-vjeçar në Kolegjin LaSalle gjeti trupin dhe e raportoi atë te policët një ditë më vonë. Ai mendoi fillimisht se bëhej fjalë për një kukull, por menjëherë ndryshoi mendje kur dëgjoi për zhdukjen e një fëmije nga Nju Xhersi, ndonëse ky rast rezultoi se nuk kishte lidhje me “Djalin në kuti”.

Viktima ishte vendosur në një kuti JC Penney, përpara se të hidhej në rrugën Susquehanna në Fox Chase. Pasi morën gjurmët e gishtave të djalit, policia zbuloi prova të tjeranë lidhje me rastin, duke përfshirë një kapelë, shall dhe shami për fëmijë. Krimi tronditës tërhoqi një vëmendje të madhe mediatike dhe u publikua gjerësisht në shtypin lokal në Filadelfia. Ndërsa policia përpiqej të gjente ndonjë pistë, ata vendosën të publikonin një fotografi pas vdekjes së djalit, të cilin e veshën dhe pozuan në një pozicion ulur.


Për dekada me radhë, specialistët e krimit kanë dalë me teori rrëqethëse për atë që mund t’i ketë ndodhur të ndjerit.

Disa teoricienë besojnë se krimi kishte të bënte me një shtëpi kujdesi, e cila ndodhej pak më shumë se një milje nga vendi ku u zbulua trupi. Një nga punonjësit e ekspertit mjekësor, Remington Bristow u fiksua me zgjidhjen e rastit. Në vitin 1960, ai kontaktoi një psikik në New Jersey, i cili i tha hetuesit të kërkonte një shtëpi që i ngjante një shtëpie kujdestarie. Ndërsa oficerët kërkuan pronën, ata vunë re një kovë e cila mund të futej në një kuti JC Penney. Bristow pohoi gjithashtu se batanijet në shtëpinë e kujdesit ngjanin shumë me ato të mbështjella rreth viktimës së paidentifikuar.

Pavarësisht spekulimeve, policia nuk ishte në gjendje të gjente ndonjë lidhje të fortë me krimin. Një rrëfim tronditës hapi çështjen në vitin 2002 nga një person që policia e identifikoi vetëm si M. Gruaja, e cila deklaroi se nëna e saj abuzive e kishte “blerë” djalin e ri nga një familje tjetër. Në intervistën e saj të gjerë policore, dëshmitarja pohoi gjithashtu se djali është abuzuar seksualisht dhe fizikisht për dy vjet e gjysmë para se të vritej.


Në mënyrë shqetësuese, ajo këmbënguli se prindërit e saj e kishin ndëshkuar djalin pasi ai kishte të vjella në vaskë dhe ndërroi jetë pasi u përplas në dysheme. Një faktor që i jep njëfarë besueshmërie historisë së saj është se një dëshmitar i vuri re ata duke lëvizur me një kuti nga bagazhi i makinës së tyre. A mund të ketë qenë aty trupi i fëmijës së paidentifikuar? Kur oficerët ndoqën rastin, familja e e M-së, e cila faktikisht vuante nga probleme të shëndetit mendor mohoi të kishte parë ndonjëherë një djalë të ri në shtëpi.

Në vitin 1961, hetuesit e Filadelfias morën në pyetje Kenneth Dudley dhe gruan e tij Irene Dudley për të përcaktuar nëse djali në kuti kishte qenë një nga 10 fëmijët e çiftit të moshës së mesme. E gjithë familja do të udhëtonte lart e poshtë vendit së bashku me Kenneth-in, teksa ai kërkonte punë. Dudley-t u vunë nën hetim, atëherë kur një nga fëmijët e tyre, 7-vjeçarja Carol Ann, vdiq si rezultat i neglizhencës dhe kequshqyerjes.

Në vend që ta varrosnin trupin e fëmijës së tyre të vogël në një varrezë, çifti e mbështolli vajzën me një batanije dhe e vendosi trupin e saj në një zonë të pyllëzuar në Virxhinia. Më pas doli se shtatë nga dhjetë fëmijët e familjes vdiqën nga uria dhe asnjëri prej tyre nuk mori një varrim të duhur. Pasi morën në pyetje Dudley-t dhe panë lëvizjet e tyre, policët përcaktuan se çifti nuk ishte i lidhur me djalin në kuti.

Një teori tjetër thotë se djali në kuti mund të ishte rritur në të vërtetë si një vajzë, gjë që ka bërë që askush të mos jetë në gjendje ta identifikojë atë. Eksperti i mjekësisë ligjore Frank Bender beson se flokët e prerë me nxitim të djalit dhe fakti që vetullat e tij dukej se ishin shkulur, e sugjerojnë këtë.

Në vitin 1955, tre-vjeçari Steven Craig Damman u rrëmbye jashtë një supermarketi.


Meqenëse përshkrimet e të dy djemve ishin të ngjashëm, policia hulumtoi teorinë se ata të dy mund të ishin i njëjti person. Rrezet X, gjurmët e këmbëve dhe të dhënat mjekësore u hulumtuan, ndërsa oficerët u përpoqën të mbyllnin rastin. Pavarësisht spekulimeve, nuk ka gjasa që dy viktimat të ishin i njëjti person, për shkak të një numri dallimesh kryesore.

Hetuesit gjithashtu nuk mundën të gjenin njollën dalluese të Steven në pjesën e pasme të trupit. Po kështu, policët mësuan se Steve kishte thyer krahun para zhdukjes së tij, ndërsa djali në kuti nuk kishte fraktura.

Trupi i fëmijës së panjohur u varros në një fushë, nga policët që paguan për funeralin e tij, por trupi u zhvarros në vitin 1998, në mënyrë që ekspertët të mund të mblidhnin prova të ADN-së. Ai u rivarros në varrezat e Ivy Hill në Filadelfia, në një arkivol të dhuruar dhe iu dha një gur varri me mbishkrimin “Fëmija i panjohur i Amerikës”.


Pavarësisht kësaj, anëtarët e klubit për zbardhjen e krimeve, Shoqëria Vidocq mbajnë një shërbim vjetor përkujtimor për t’i bërë nderimet e tyre djalit. U krijua gjithashtu një faqe interneti kushtuar misterit të djalit në kuti, ku njerëzit mund të ofronin informacione që mund të zgjidhin enigmën./ Zoom.al