Aplikacion
Kur dëgjon se Rama po mendon të krijojë një SHTET bektashi në Shqipëri, dy gjëra të venë në mendje, ky njeri ose është krejt i çmendur, ose tallet. Por shpejt kujtohesh se këto të vijnë në mendje me çdo gjë që bën Kryeministri i Shqipërisë. Pastaj të kap trishtimi, sepse cilado prej tyre të jetë e vërtetë, ose edhe sikur asnjëra prej tyre të mos jetë e vërtetë, ti e kupton se Shqipëria ka rënë përsëri në diktaturë, pas tridhjetë vjetësh ajo është kthyer aty ku ishte në vitin 1985, pavarësisht se forma e ushtrimit të pushtetit absolut është e ndryshme.
“Deri tani, thotë Z. Rama, që vetë është katolik jo praktikan, vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt kanë dijeni për planin…” shkuran Endru Higins për Nju Jork Taims, në raportimin e 21 Shtatorit të titulluar “Shqipëria planifikon një shtet të ri musliman brenda kryeqytetit të saj”.
Plani për krijimin e një shteti fetar brenda kryeqytetit është paraqitur si ide vetjake e Ramës, e pabazuar në ndonjë kërkesë të shoqërisë shqiptare, e pakonsultuar me asnjë forcë politike, duke përfshirë këtu edhe partinë e kukullave që drejton vetë ai, e pavotuar në asnjë referendurm apo plebishit popullor, e pambështetur në asnjë nevojë ekonomike, politike, apo shpirtërore të ndonjë shtrese, le më pas të shumicës apo të gjithë popullsisë së Tiranës a Shqipërisë. Është thjeshtë ideja e një njeriu që e sheh veten si diktator, sundues të vetëm, të madh, të pavdekshëm, të pagabueshëm, i cili, për çudi, ka arritur në një çast historik kur mendon se diktatorllëkun e vet mund t’ua shesë pa vështirësi edhe vendeve që mburren me sistemet e tyre demokratike.
Ideja e krijimit të një mikro-shteti fetar brenda kufijve të kryeqytetit të një shteti laik nuk është origjinale e Udhëheqësit të Lavdishëm dhe të Pagabueshëm Edi Rama. Një tjetër “udhëheqës i madh”, një tjetër diktator i ka paraprirë atij. Në 11 shkurt 1929 Benito Musolini, Kryeministër i Italisë i hapi rrugën një monstruoziteti të tillë duke nënshkruar Traktatin Lateran në bazë të të cilit Mbreti Viktor Emanueli III pranonte themelimin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit nën drejtimin e kryetarit të tij Papës Piu XI.
Musolini kishte shtatë vjet që kishte hipur në pushtet dhe gjente një mënyrë për konsolidimin e pushtetit të tij absolut në një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të kohës dhe për të siguruar përkrahjen e qindra milionë katolikëve në botë. Edi Rama ka 11 vjet që i ka hipur kalit mbrapsht në një vend të vockël të Ballkanit dhe duket se ka gjetur një mënyrë për të shpallur statusin e tij si diktatoruc dhe për t’u marrë si i mirëqënë në këtë status nga diplomacitë e shteteve të mëdha që mesa duket nuk e vrasin më mendjen fare se çfarë sistemi politik apo shoqëror, çfarë statusi mendor apo psikologjik e sundon ai atë një pëllëmb vend me popullsi të përgjysmuar.
Për çfarë i duhet Edi Ramës një shtet bektashi në mes të Tiranës?
Vështirë të përcaktosh se si veprom mendja diabolike e një diktatori, qoftë ky i përmasave minimale si Edi Rama. Sidoqoftë, një nga përfitimet tashmë është shprehur në pasqyrimin që i është bërë idesë së tij, domethënë që shtypi dhe ndoshta opinion diplomatik në Perëndim e merr si të mirëqenë statusin e tij si diktatoruc i Shqipërisë dhe nuk iu bëhet shumë vonë për këtë. Është, si të thuash, një miratim i heshtur për kalimin e Shqipërisë nga një demokraci me zgjedhje të lira në diktaturë absolute, ku një dorë e fortë ideon dhe përcakton ecurinë e vendit.
Për çfarë i duhet botës një shtet bektashi në Tiranë të Shqipërisë?
Për hiç asgjë. Veçse për ndonjë humor të rastit, për botën nuk ka pikë rëndësie se ç’bën një vend pa pikë rëndësie me një pjesë të besimetarëve të vet. Për botën nuk ka pikë rëndësie nëse Rama iu jep besimtarëve të vet statusin e shtetit, mbretërisë apo edhe perandorisë.
Për çfarë iu duhet besimtarëve bektashij të Shqipërisë një shtet brenda kufijve të Tiranës?
Po të nisesh nga lajmet në përgjithësi, besimtarët bektashinj dhe baballarët e teqeve në Shqipëri as që duhet të kenë dijeni se çka bluajtur kryegjyshi i tyre Mondi me Kryeministrin Edi Rama. Ndoshta k-gjysh Mondit mund t’i guduliset sedra personale me një status të ri. Mbase atij vetë mund t’i shtohen edhe të ardhurat duke qenë edhe k-gjysh dhe k-ministër i një entiteti sado absurd që të jetë ai. Megjithatë, vështirë të thuash që ideja e një mikro-shteti bektashi pajtohet me parimet e fesë bektashjane, pavarësisht se përgjigjen përfundimtare për këtë mund ta japin vetëm teologët bektashjanë.
Çfarë i duhet shqiptarëve një shtet bektashi në Tiranë?
Absolutisht për asgjë. Shqiptarët nuk po bëjnë dot një shtet, le më pastaj të bëjnë edhe një tjetër brenda tij. Sidoqoftë, Edi Rama mund ta shesë idenë si një marifet interesant për të promovuar turizmin, por nuk mund të fshehë idenë që në këtë rast ai po vepron si diktator absolut.
Pyetja e vërtetë në këtë rast është: A mund ta përballojnë shqiptarët “luksin” e lidhjes së fatit të tyre me një diktator të ri?
Nga historia dihet se diktatorët e shfrytëzojnë vendin e tyre ose deri në vdekje, ose derisa gjindet dikush apo diçka që i heq qafe. Musolini, diktatori që krijoji Shtetin e Qytetit të Vatikanit brenda kufijve të Romës përfundoi i varur me kokë poshtë. Sadam Huseni, diktatori i Irakut, përfundoi në një vrimë nën tokë. Kadafi hëngri plumb pas qafe. Noriega dhe Milosheviçi i kaluan ditët e fundit të jetës të sëmurë nëpër burgje. Por, që të arrinin deri aty ku arritën ata i sollën popujve të tyre me qindra-mijëra viktima luftrash idiote, shkatërrim ekonomik dhe mjerim, i sollën trauma të vërteta shoqërore që nuk harrojnë lehtë. Lidhjet e forta me diktatorët janë gjithmonë në dëm të popujve që i krijojnë. Edi Rama mund të arrijë të mbijetojë si diktator për sa kohë të jetë gjallë, por, ashtu si edhe nga paraardhësi i tij enver hoxha, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka për t’iu ardhur asgjë e mirë. Atij mund të vijë dita edhe të rrëzohet, ndoshta edhe me dhunë, siç janë rrëzuar shumë të tjerë, pavarësisht përkrahjes që iu është dukur se kanë pasur nga Perëndimi. Por këtë rrëzim, të dhunshëm apo jo, është më mirë t’ia sjellin vetë shqiptarët, sepse po iu la në dorë të huajve, ata e bëjnë pa shumë konsideratë për atë që ata e quajnë “collateral damage”.
Edi Rama tashmë e ka konfirmuar veten si diktator. Është koha që shqiptarët të fillojnë të mendojnë seriozisht për heqjen e tij./ Zoom.al
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”