zoom

Aktualitet

Dha 2 leje ndërtimi abuzive, kapet në arrati ish-kreu i Urbanistikës në bashkinë e Bulqizës (EMRI)

Një 52-vjeçar, ish-përgjegjësi i Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, ka rënë në pranga, pasi ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.

Policia njoftoi se pas hekurave përfundoi Gëzim Boba.

“Kapet dhe ndalohet një 52-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Dibrës me 8-muaj burgim, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”. Strukturat e Policisë të DVP Dibër, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit G.B., 52 vjeç, banues në Bulqizë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e ka dënuar me 8-muaj burgim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ish-zyrtari në vitin 2010, teksa mbante detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin, ka vendosur dërgimin për miratim të dy kërkesave për leje ndërtimi, të kërkuara nga dy shtetas. /ZOOM.AL/