zoom

Lajme

DETAJET/ Vjedhja e 54 tonë metaleve në Kombinatin e Poliçanit, Prokuroria thërret Çuçin e Peleshin

Ish-ministri i Brendshëm socialist, aktualisht kreu i grupit të PS-së në Parlament, thirret për skandalin e vjedhjes së dhjetëra tonë metale nga Uzina e Armëve Poliçan, në mënyrë misterioze dhe që po hetohet.

Prokuroria e Beratit njoftohet se ka thirrur ish-ministrin Bledi Çuçi, për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me një çështje penale të çelur në 2022, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Referuar fletë-thirrjes që mban firmën e prokurorit Eni Çulli, ish-ministri duhet të paraqitet më datë 15 korrik, ora 12:00.

Fletë-thirrja i është dërguar për zbatim Komisariatit nr.3 në Tiranë, për shkak se ish-ministri ka vendbanimin në kryeqytet. Prokuroria thekson në fletë-thirrje që nëse Çuçi nuk paraqitet pa pasur pengesa të ligjshme, do të urdhërohet shoqërimi i tij i detyrueshëm.

Çështja penale lidhet me vjedhjen e 54 tonë metaleve në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm ekonomik dhe logjistik. Çuçi thirret në cilësinë e drejtuesit politik Berat, pasi nga hetime ka rezultuar se ka pasur komunikime me drejtorin Kombinatit Mekanik te Poliçanit, Erion Zylyftari, që është njëherazi edhe kreu i Partisë Socialiste në Poliçan.

Ndërkohë, në lidhje me dëmin e shkaktuar, janë bërë audite dhe gjetjet i janë vënë në dispozicion ministrit të Mbrotjes, Niko Peleshi, që me gjasë do thirret për t’iu marrë dëshmi, pasi Kombinati Mekanik i Poliçanit është pronë e institucionit që drejton.

Aktualisht hetimi po kryhet në prokurorinë e Beratit, por nëse gjenden të dhëna që mund të implikojnë Bledi Çuçin apo ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, dosja pritet t’i kalojë SPAK për kompetencë. /ZOOM.AL/