zoom

Aktualitet

DETAJET/ Lufta e armatosur me 3 kushërinj të plagosur për tokën! Si ndodhi krimi, polici nën hetim

Rikthehen krismat, terrori dhe paniku. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të një fabrike çimentoje në Mamurras, teksa një konflikt pronësie mes kushërinjsh ka agravuar deri në përdorimin e armëve.

Burime policore thonë paraprakisht se Fatos Sela, së bashku me vëllezërit e tij, ishin duke kryer punime për rrethimin e një sipërfaqe toke, e cila pretendohet edhe nga kushërinjtë.

Mësohet se në vendngjarje ka mbërritur më pas efektivi i Policisë Rrugore, Sahit Ahmetaj (Sela), i cili fillimisht ka debatuar me kushërinjtë e tij, njëherazi edhe fqinj. Debati mes tyre ka agravuar shpejt dhe efektivi i policisë, i cili sipas autoriteteve ishte jashtë shërbimit, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të palës tjetër.

Menjëherë më pas ka pasur një përleshje me armë, pasi edhe pala tjetër i është përgjigjur efektivit. Për pasojë, efektivi i Rrugores ka mbetur i plagosur, ndërsa nga pala tjetër janë plagosur Fatos Sela dhe Adrian Sela.

Të tre janë dërguar në spital për të marrë kujdesin mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, teksa ka ndaluar në gjendje spitalore efektivin dhe dy të afërmit e tij. Gjithashtu po mblidhen dëshmitë nga familjarët dhe banorët. Mësohet se mes dy familjeve me lidhje farefisnie ka pasur konflikte prej kohësh për pronësinë e një sipërfaqe toke.

Gjithashtu edhe AMP u përfshi në hetime teksa ka pezulluar paraprakisht efektivin rrugor, deri në sqarimin e rrethanave, pasi ka përdorur armën jashtë shërbimit dhe jo sipas rregullores. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura