zoom

Aktualitet

Delegacioni i OKB, i shqetësuar për gjendjen e burgjeve në Shqipëri: Të mbipopulluar

Gjendja e burgjeve në Shqipëri lë për të dëshiruar për shkak të mbipopullimit me të burgosur.

Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një delegacion i OKB-së, pas një vizite disaditore që zhvilloi në burgjet e vendeve tona, për të parë nga afër kushtet.

Vasiliki Artinopoulou, kryetare e delegacionit të Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës (SPT), kërkoi nga autoritetet shqiptare të reflektojnë dhe të përmirësojnë gjendjen e burgjeve dhe të luftojnë mbipopullimin duke reduktuar paraburgimin.

“Numri i lartë i të paraburgosurve është shqetësues. Duhet të ndërmerren hapa pa vonesë për të reduktuar numrin e të burgosurve në Shqipëri, si një mjet për të parandaluar trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.

Ne mirëpresim masat ekzistuese për të adresuar mbipopullimin, siç është Ligji për Amnistinë dhe ndërtimi i burgjeve të reja. Megjithatë, objektet e reja do të mbushen shpejt nëse qeveria nuk arrin të trajtojë shkaqet kryesore të mbipopullimit. Shteti palë duhet të përshpejtojë reformat në drejtësinë penale duke siguruar një zbatim efektiv të alternativave ndaj paraburgimit”, tha ajo.

SPT vizitoi Shqipërinë nga data 14 deri më 20 prill dhe pa nga afër vende të ndryshme të privimit të lirisë, duke përfshirë burgjet, stacionet e policisë dhe institucionet psikiatrike.