zoom

Aktualitet

Del VIDEOJA/ Janë në kërkim ndërkombëtar, por Zoto dhe Mërtiri festojnë të pashqetësuar në furgon

Ndonëse dy bosët e inceneratorit të Tiranës Klodian Koto dhe Mirel Mërtiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar me masë “arrest në burg” nga GJKKO, pikërisht për përfshirjen në aferën e inceneratorëve, publikohet një video ku ata shfaqen duke festuar të pashqetësuar në një furgon.

Videoja është publikuar nga Belind Këlliçi në “Facebook”, i cili shkruan se Zoto dhr Mërtiri po festojnë për shumën e majme që kanë përfituar nga inceneratori i Tiranës.

Këlliçi paralajmëroi për zhvillime të reja në ditët në vijim, që sipas tij, do të çojnë në zbulimin e përgjegjësve të vërtetë për aferën, Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

“Ja se si dy zemrat, dy shokët e Veliajt dhe dy të panjohurit e Ramës, të cilëve pa i njohur hiç, ai u firmoste bonusin 8% fap e fap (Zoto e Mërtiri), në kërkim ndërkombëtar festonin vjedhjen e 80.000 eurove në ditë tek Inceneratori i Tiranës.

Për të gjithë ata që menduan dhe sponsorizuan fort që afera e shekullit të mbyllej me arratinë e Ahmetajt, i garantoj që e kanë shumë gabim!

Aferës së inceneratorëve do i shkohet deri në fund e mbi të gjitha, inceneratorit të Tiranës do t’i dalin pronarët e vërtetë, që tashmë të gjithë e dinë që janë Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Veliaj me të vërtetë rrëmbeu me paratë e korrupsionit mandatin e 3 në krye të Bashkisë Tiranë, por gjurmët që ka lënë nuk i fshin dot as koha dhe as presioni i tij ndaj drejtësisë.

Do ta çojmë përpara këtë çështje, dhe në ditët në vijim do të sjellim për publikun plot fakte të reja.

Sqarim: Në video janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri duke festuar gjatë kësaj periudhe që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar”, shkruan Belind Këlliçi.

Videoja më poshtë:


Pak ditë më parë, SPAK sekuestroi inceneratorin e Tiranës, duke pohuar se pronarë “de facto” edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë, janë shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Sipas SPAK, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Nga të dhënat e bilancit që kjo shoqëri ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se qytetarët shqiptarë kanë nxjerrë nga xhepat e tyre në favor të kompanisë së Zotos e Mërtirit shumën prej 7.9 mld lekësh, mes viteve 2017 dhe 2021.

Kjo shumë është paguar në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit.