Aplikacion
Para gazetarëve, në dalje nga “ndërtesa e qelqtë”, ai shfaq fjalëpakë.
“Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. Do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është e duhura. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet si çështje akoma në hetim”, tha Ndreca.
SPAK e ka marrë deputetin socialist si person nën hetim pasi e shqyrtoi dosjen e tij për afro 3 vjet me radhë.
Plarent Ndreca akuzohet se ka shkelur ligjin në procedurën e disa tenderave në kohën kur ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
SHKELJET E KONSTATUARA NGA KLSH
Shkeljet u gjetën nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që i referoi ato në SPAK. Kallëzimi penal u bë ndaj 5 personave, funksionarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët rezultojnë se kanë qenë përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”. Vepra penale është “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.”
Bëhet fjalë për tenderat e zhvilluar për ndërtimin e Komisariatit të policisë në Vlorë, të Komisariatit nr. 4 në Tiranë, atij të Pogradecit dhe Komisariatit të Mirditës.
KLSH gjeti mospërputhje dhe devijime ligjore në procesin e auditimit që zhvilloi për vitet 2018, 2019 dhe 2020. Sipas KLSH, shkeljet çuan në rritje të vlerës së ndërtimit, në mënyrë të paargumentuar.
“Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë”- thuhej në njoftimin e atëhershëm të KLSH.
OPOZITA: NDRECA I PËRFSHIRË NË AFERA TË TJERA
Për opozitën, Ndreca është një prej zyrtarëve më të korruptuar të mazhorancës, pasi rezulton i përshirë edhe në tendra të tjerë korruptivë, si ai i uniformave të policisë apo tenderat e Ministrisë së Arsimit, ku po ashtu ai ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëëm.
“Vetëm njëri prej tyre, hajduti me damke, Plarent Ndreca, e keni parë hajdutin si paraqitet i brilantosur nëpër studio? Ai ka histori prej hajduti njëlloj si drejtorët e 5D. Ky është hajduti i fondeve të rikonstruksionit të Ministrisë së Arsimit, nga e cila doli vila e Lindës së Parlamentit. Hajduti i të ashtuquajturit park olimpik. Hajduti i uniformave të policisë. Merrni dosjen, është Ndreca hajduti i pafytyrë. Dhe do ua them pse është i tillë. Që shkoi në Kroaci për të blerë uniformat, që i mori ato me çmime gjer 10 herë më të shtrenjta se sa në tregun e botës” – deklaronte Sali Berisha në qershor të këtij viti.
Sipas kryetarit të PD, Plarent Ndreca duhet të kishte shkuar përpara drejtësisë me kohë, por drejtësia ka vonuar mbi të për shkak se pasur mbrojtjen e kryeministrit Rama si pasojë e përfshirjes në afera të tjera që lidhen me familjen e kreut të qeverisë.
“Po kush e mbron Ndrecën? Plarentin? A e dini ju kush e mbron? E mbron Edi Rama sepse firmosi me dorën e tij 28 mijë metër katrorë tokë publike për vëlla Olsin, pronë e shtetit shqiptar. Sipërmarrjes private të Olsit të Xibrakës” – deklaronte Berisha.
KOMPANIA QË FITOI TENDERAT
Kompania që fitoi dy nga tenderat është në pronësi të Gjon Radovanit, ish -ministër i Zhvillimit Urban. Sipas disa raportimeve në media, SPAK e faktoi shkeljen e ligjit nga Ndreca nëpërmjet disa të dhënave të gjetura në telefonin e Radovanit, që është me profesion arkitekt. Por Radovani reagoi duke thënë se nuk ka pasur asnjë shkelje dhe duke ofruar të dhëna mbi procedurën e zhvilluar.
“Në vitin 2019 unë, ark. Gjon Radovani kam marrë pjesë në një KONKURS PROJEKTIMI të organizuar nga Ministria e Brëndëshme me temë: “Studim projektimi për disa projekte tip, objekte të Policisë së Shtetit”. Pjesëmarrja në konkurs është bërë nëpërmjet bashkimit të operatorëve ekonomik “Derby-E” dhe “APE.shpk”, kjo e fundit në pronësinë time. Bashkimi i operatorëve ekonomik në bazë të termave të referencës së konkursit ka lidhur kontratë bashkpunimi për projektimin ekzekutiv të dy reparteve të Policisë së Shtetit, atë të Vlorës dhe atë të Rrëshenit” – deklaronte Radovani.
Reagimi i Radovanit mban datën 25 tetor 2024. Ai pranoi se kishte pasur kontakte me zyrtarët e ministris së Brendshme, por duke thënë kjo kishte ndodhur vetëm për shkak se faturat për punët e kryera nuk ishin paguar ende.
“Bashkimi i operatorëve ekonomik ka paguar tatimin mbi vlerën e shtuar për faturën e lëshuar. Edhe sot e kësaj dite fatura për punën e bërë nuk është likuiduar nga MB dhe dy shoqëritë e bashkimit të operatorëve ekonomik janë në limitet e falimentit, sepse përvec që nuk janë paguar për punën e bërë, kanë paguar edhe taksat sikur të kishin arkëtuar shumën e faturës.Në këto kushte unë dhe kolegë të tjerë të përfshirë në projekt me të drejtë kemi kontaktuar kohë pas kohe funksionarët e MB për të kërkuar të drejtën tonë të munguar.”
Radovani thotë ka pajtuar një avokat për të marrë paratë nga shteti. /Zoom.al
Zuri vendin e Ten Hag, trajneri Amorim zotohet ta rikthejë Man Utd atje ku klubit i takon