Aplikacion
Një rrugëtim i shoqëruar nga kritikat, MEME-t dhe komentet për peshën e këngëtares. Sot Shqipëria gdhiu mes analizash intelektualësh dhe një revolte të pashoq. Ronela u nxiu faqen.
Një skenar që ta kanë zënë sytë e dëgjuar veshët jo pak herë. Në 2012-ën thanë se Rona Nishliu s’bëri gjë tjetër me Suus-in e saj, veçse ia dha britmës në skenën e Eurovision-it, britmë ama që na çoi në vendin e 5-të.
Po kështu, Aurela Gaçe ishte më aktive seç duhej, Frederik Ndoci na vuri në gjumë, Olta Boka shkoi këndoi shqip e kështu me radhë. Përherë, diçka për të thënë.
Një situatë komike që të sjell ndër mend “Këshilla një gazetari” të Faik Konicës.
I dashur mik – në shkofsh në Eurovision me gajde si Luiz Ejlli; shqiptarët do të thonë që je démodé.
Në këndofsh shqip, do thonë se fajin e ka gjuha; nëse e lë shqipen, do të akuzojnë se je amerikanizuar e i ke dhënë duart identitetit.
Në i shtofsh performancës muzikore kërcim, të tërheqin veshin e të kujtojnë se s’ishe aty për atë gjë; por nëse zhdërvjelltësia s’është pika jote e fortë, dije çfarë të pret. Do thonë se të shkoi si Kejsi Tola, humbe prej lëvizjeve “të ngathta” skenike.
Një festival muzikor që ngrihet në piedestal në radhët tona ( si gjithçka tjetër “e huaj”, “e jashtme”) e që s’na frenon as më të voglin denigrim të artistëve tanë, nga vetë ne.
Një garë muzikore që lobon “drejtësi” dhe “bashkim” artistik, por që jo pak herë është komentuar si e ndikuar dhe komanduar nga faktorë të jashtëm.
Dy vite më parë, “The Washington Post” do të publikonte artikullin “Eurovision-i është politik këtë vit. Si çdo vit”.
Një argument ky jo për të thënë se Ronelës i takonte kupa e iu bë padrejtësi, por një arsye për të hapur sytë e jo për të kryqëzuar medoemos përfaqësuesit tanë.
Kujtoni Netta-n, fituesen e 2018-ës. Një këngë që rrëmbeu çmimin e parë, por vuri në pikëpyetje seriozitetin e konkursit. Parë nga syri i masës së gjerë ( duke lënë pas detajet teknike, që kërkojnë analizë profesionale), njerëzit ishin skeptikë.
Masakrimi i Ronela Hajatit në rrjetet sociale është i trishtë. Mllef ndaj një këngëtareje, këngët e së cilës numërojnë miliona klikime, sepse shqiptarët e dëgjojnë, zgjedhin dhe duan ta dëgjojnë; në kafene ose në club-e. A është kjo linja/ rryma e duhur për Eurovision? Nuk mund të përgjigjesh me siguri.
Mjafton për këtë t’i hedhësh një sy listës së këngëve fituese ndër vite. Nga balada të ndjera te show dhe ritëm i jashtëzakonshëm.
“Në shkofsh e veshur siç ia ka ënda stilit tënd do thonë se i stepe njerëzit, si Hersi Matmuja. Në shkofsh e veshur me hapin e kohës do të akuzojnë për shthurje, si Ronelën”, do të vijonte më tej, ndoshta, Konica.
“Pornografi” është fjala që ka përshkruar nga komentuesit shqiptarë këto fotografi:
Një temë kjo e diskutuar shumë herë, madje e konsumuar. Prej vitesh, muzika është orientuar drejt seksuales dhe Ronela nuk është e vetmja “mëkatare” në treg.
A po shkon muzika drejt degradimit? Kjo është një temë që s’nis, as mbaron me Ronelën dhe kurrsesi s’mund të bëjë kurban këtë të fundit.
Ndërkohë, të tjera çështje që ju sugjerojmë t’ju revoltojnë sa “Sekreti” i Ronelës:
Ndërkohë këtu mund të lexoni “Këshilla një gazetari”.
Artikull origjinal nga Zoom.al
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë